Një njësi POS për pagesat me kartë bankare, është vendosur në qendrat shëndetësore verore në vend, ku turistët e huaj që marrin shërbim, paguajnë një tarifë sipas shërbimit që marrin.
Për herë të parë këtë sezon turistik, të ardhurat e krijuara nga tarifimi për pushuesit e huaj, do të përdoren për të investuar në përmirësimin e 36 qendrave shëndetësore verore.
Gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale, Lezhë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, theksoi se tarifat nuk prekin në asnjë rast qytetarët shqiptarë, të cilët vijojnë të marrin shërbim shëndetësor falas, siç parashikohet nga sistemi publik.
“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas, siç ka qenë gjithmonë. Kemi vendosur disa tarifa të thjeshta, të cilat krijojnë mundësinë që qendrat shëndetësore të sigurojnë të ardhura dytësore. Këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat për të investuar në përmirësimin e shërbimeve dhe për të plotësuar nevojat më imediate që ato kanë,” u shpreh ministrja Sala.
Që nga nisja e sezonit turistik, më 1 qershor 2026, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në Qendrat Shëndetësore Verore, ndërsa rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, vijon monitorimin e përditshëm të funksionimit të qendrave, duke garantuar furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe mbarëvajtjen e shërbimit në të gjitha zonat turistike.
Komente







