Post marrëveshja, Koalicion
PD-PS? Përçahet opozita

Post marrëveshja, Koalicion<br />PD-PS? Përçahet opozita
A është bashkëqeverisja njëmujore PS-PD një provë për një aleancë më afatgjatë paszgjedhore, gjithnjë nëse asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk marrin 71 mandate të domosdoshme, për të qeverisur vetme, siç edhe ka gjasa të ndodhë?

Kjo është dilema e madhe politike që ka pasuar zyrtarizimin dhe zbatimin me votën në parlament të marrëveshjes politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

Ky pakt, i ngjizur me ndërhyrjen e fortë amerikane, mundësoi pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, riktheu normalitetin politik dhe zhbllokoi Vetingun, por në të njëjtën kohë mund të rikonfigurojë edhe aleancat politike në vend. Gjatë dy ditëve të fundit, nga të dy kampet politike, janë artikuluar mesazhe të koduara, të cilat nuk e përjashtojnë mundësinë që bashkëqeverisja PD-PS të vijojë edhe pas 25 qershorit. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar shqiptarëve t’i japin 71 mandate për të larguar PD nga qeveria, duke nënkuptuar se në të kundërtën, PD mund të qëndrojë.

Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka deklaruar dy ditë më parë nga Elbasani se LSI dhe PDIU do të mbeten në opozitë. Spaho nuk u shpreh për një koalicion PS-PD, por një deklaratë e tillë nuk lë shumë vend për keqkuptime. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër një aleance të gjerë, ndonëse ai shtoi se vendimin e marrin drejtuesit e partisë. Ndërkaq, deputetë të Partisë Demokratike, kanë qëndrime të ndryshme sa i takon një opsioni të tillë. “Jemi në një betejë zgjedhore e cila duhet fituar.

Fituesi vendos koalicionet”, është shprehur deputeti demokrat Luçiano Boçi, duke mos e përjashtuar një mundësi të tillë. Nga ana tjetër, deputeti Genc Polli nuk është as pro dhe as kundra një opsioni të tillë, ndryshe nga deputeti Flamur Noka, i cili është kategorikisht kundër. Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha për Shqiptarja.com se ishte kategorikisht kundër një koalicioni PD-PS.

“Jam kundër në çdo rrethanë”, u shpreh Noka. Ndërsa Sekretari Organizativ në Partinë Demokratike, Enno Bozdo shpreh bindjen se Partia Demokratike do ta formojë e vetme qeverinë. “PD fiton zgjedhjet me rezultat spetakolar. E formon e vetme qeverinë”, u shpreh Bozdo për Shqiptarja.com.

Nard Ndoka pro
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili me shumë gjasa do të jetë pjesë e listës së PD, thotë se vendi ka nevojë për një qeverisje stabël, duke mbështetur kësisoj një koalicion të gjerë PS-PD. Ndoka thotë gjithashtu se, Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të dalë në opozitë. “Vendi ka nevojë për një qeverisje stabël dhe LSI ka nevojë që të dalë në opozitë që të vetëpastrohet. Sipas gjasave do të kemi LSI në opozitë. E rëndësishme është që zgjedhjet të pranohen nga të gjithë”, tha Ndoka për Shqiptarja.com. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim pretendon se do t’i marrë e vetme 71 mandate. Kreu i LSI, Petrit Vasili ka deklaruar se nëse PD dhe PS e kanë me kaq merak të bëjnë koalicion, le ta bëjnë që tani. Gjithsesi, përtej deklaratave, një gjë duket se është e sigurt se mohimi i mundësisë për krijimin e koalicioneve nuk e favorizon LSI.

Deputetët e tjerë   
E pyetur për mundësinë e një koalicioni PS-PD, deputetja demokrate Albina Deda ka theksuar se në politikë kurrë nuk thuhet kurrë. “Kam besimin se PD dhe aleatet do të jenë mazhorancë e sigurt pas 25 qershorit. Kjo nuk është dëshirë utopike por një fryme kombëtare që buron nga qeverisja 4-vjeçare e drogës dhe e skandaleve korruptive. Edi Rama dhe koalicioni i tij i Rilindjes kanë prekur fundin qeverisës si dhe politik. Edhe rrethanat aksesore ndërkombëtare flasin totalisht në favorin tonë. Natyrisht në politike fjala kurrë nuk është në diksionerin e saj.

Por një gjë ju siguroj se PD dhe z. Basha do të veprojnë para e pas zgjedhjeve bazuar në principe e kauza dhe kauza është interesi i qytetarit shqiptar”, ka zonja Deda. Ndërkaq, deputetja demokrate Arbiola Halimi thotë se nuk do të ketë nevojë për një koalicion të tillë. “Personalisht mendoj se nuk do të ketë nevojë për një koalicion të tillë pasi Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet pa qenë e nevojshme për koalicione. Aktualisht nuk e shoh fare si një mundësi një koalicion të tillë”, tha Halimi.
 
Pakt Rama-Basha
Pakt Rama-Basha, i ngjizur me ndërhyrjen e fortë amerikane, mundësoi pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, riktheu normalitetin politik dhe zhbllokoi Vetingun, por në të njëjtën kohë po provokon edhe rikonfigurimin e aleancave politike në vend.
 
Deputetët e PD
Deputetë të Partisë Demokratike kanë qëndrime të kundërta sa i takon një koalicioni të tillë. Flamur Noka është kundra, ndërsa kolegë të tij nuk e përjashtojnë një opsion të tillë.
 
Disa deklarata të ditëve të fundit për koalicion PS-PD
 
Rama: Na jepni 71 vota, PD ikën nga qeveria 

“PD u fut në zgjedhje, por ata janë ata që ishin, i njëjti kërcënim për vendin në kuptimin e qeverisjes. Nëse i jepni PS 71 mandate, timoni është i sigurt, nëse nuk i jepni 71, PS mund të ketë timonin, por kushedi sa mund të ketë në prehër dhe pa rrip sigurie. Nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë. Në 25 qershor ata ikin nga qeveria nëse na jepni 71 vota. Nëse duhet që të bëjmë më shumë na jepni mundësinë të bëjmë më shumë, por mos na lini në dorën e të tjerëve që të çojmë para reformat. Sado të na votojmë nuk do të marrim aq vota sa të bëjmë ndryshimet Kushtetuese. Dhe patjetër që do të bëhet një gjë që e kemi nisur, do t’i shkojmë deri në fund”.
 
Berisha: Dialogu, rëndësi kapitale

“Vetë pozicioni im s’më lejon më që të jap parashikime, këto janë probleme të liderëve të partive, por do them që pika që thotë se lideri i mazhorancës dhe opozitës duhet të vazhdojnë dialogun që për mua ka një rendësi kapitale sepse dialogu nuk është bashkëqeverisja, është bashkëpunim në interesat jetike. Unë i kam thënë gjithmonë, por tani s’më takon se jam jashtë rolit. Unë personalisht s’jam për koalicionet e mëdha”.
 
Spaho: Në opozitë do dalë Rama e PS

“LSI dhe PDIU do jenë parti në opozitë dhe PD do fitojë dhe do të qeverisë me aleatët e saj. Ndaj të gjithë mbështetësit tanë të dhunuar e mashtruar këto vite nga partitë e pazarit të vjetër janë të lirë tashmë të rikthehen në shtëpinë e tyre Partinë Demokratike, partinë që do të fitojë zgjedhjet me koalicionin e saj opozitar dhe bashkimin për Republikën e Re. Natyrisht e para që do dalë në opozite do jetë PS dhe Edi Rama”.
 
Vasili: Ta bëjnë që tani koalicionin
 
“Të mos të presin le ta bëjnë që tani koalicionin. Unë jam gati që Kodi Zgjedhor me gjithë marrëveshje politike të shkelet dhe ti jepet mundësia që PD e PS ta bëjnë një koalicion, partitë e tjera le të mos ta bëjnë. Meqë e kanë me merak kaq të madh, le ta bëjnë. Vendin e LSI e përcaktojnë vetëm zgjedhësit shqiptarë. Objektivi  i LSI është vetëm një, një objektiv publik, i prerë për të cilin e kam kthyer në bindje të jetës sime, që është  që LSI do dalë patjetër forcë e parë në zgjedhje dhe pastaj se ç’ndodh me koalicionet është diçka tjetër. Nëse PD dhe PS e kanë me kaq merak të bëjnë koalicion, le ta bëjnë që tani”.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik