Para votimit parlamentar të ndryshimeve ligjore që mundësojnë legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006, nga koalicioni qeverisës vijnë sinjale kundërshtuese që mund të rrezikojnë bashkimin e 71 votave për miratim.

I ftuar në emisionin “Elite Business” në TV SCAN, kryetari i Partisë Republikane për Tiranën, Maksim Begeja deklaroi se deputeti I kësaj partie, Fatmir Mediu do të votojë kundër propozimit të qeverisë për legalizimin e ndërtimeve të realizuara gjatë periudhës 2006-2012.

Me ligjin e ri, qeveria parashikon të legalizojë mbi 80 mijë ndërtime pa leje. Ndryshimet synojnë të legalizojnë edhe atë kategori ndërtimesh që janë në distancë të afërt me akset rrugore kombëtare.

Me ligjin aktual, ndërtimet që janë në distancë më pak se 100 m nga rrugët kombëtare nuk legalizohen, ndërsa ndryshimet parashikojnë shkurtimin e kësaj distance në 25-30 metra.

Diskutimi i këtyre ndryshimeve ligjore ka ngjallur debate të forta gjatë shqyrtimit në komisionet kuvendore. Sipas opozitës, ky legalizim masiv do të ketë një faturë të lartë financiare, pasi nëse do të lindë nevoja për zgjerimet e rrugëve, atëhere shpronësimet do të kenë kosto më të lartë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)