Ish-trajneri i Kombëtares së futbollit të Italisë, Cesare Prandeli është rikthyer që të flasë sërish për dështimin në kampionatin botëror të Brazilit dhe padyshim sulmuesin Mario Baloteli.

Fillimisht tekniku aktual i Gallatasarait në Turqi ka folur për dështimin e përfaqësueses. “Në Itali ekipi më i rëndësishëm nuk është Juventusi, Roma apo Milani, por kombëtarja.

U jam drejtuar disa herë klubeve të investojnë më shumë te të rinjtë, sikur bëri Gjermania, por ekipet vazhdojnë të jenë të mbushura me futbollistë të huaj.

Në Serinë A 38% e futbollistëve janë italianë, pjesa tjetër janë futbollistë të huaj. Projekti që kishim në Botëror në ndeshjen e dytë nuk funksionoi, duhet t’i shkaktonim probleme Kosta Rikës me strategjinë tonë, por nuk ia dolëm dot, faji ishte i imi” tha ai.

Në fund Prandeli foli edhe për Balotelin. “Ai është vetëm 24 vjeç dhe ka ende shumë për të mësuar, është një djalë i mirë, por që jeton në një dimension tjetër, larg realitetit” deklaroi ai.  


d.b/shqiptarja.com