UASHINGTON- Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për krijimin e 'stacioneve policore' të paautorizuara nga qeveria kineze në qytetet amerikane për të kryer ndoshta presion mbi disa shtetas me origjinë kineze, u tha ligjvënësve të enjten drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Safeguard Defenders, një organizatë e të drejtave të njeriut me bazë në Evropë, publikoi një raport në shtator ku zbulohet prania e dhjetëra "stacioneve të shërbimit" të policisë kineze në qytetet e mëdha anembanë botës, përfshirë Nju Jorkun.
Republikanët në Kongres kanë kërkuar përgjigje nga administrata Biden për ndikimin e tyre.
Në raport thuhet se stacionet janë një zgjatim i përpjekjeve të Pekinit për të ushtruar presion ndaj disa shtetasve kinezë ose të afërmve të tyre jashtë vendit, për t'u kthyer në Kinë e për t'u përballur me akuza penale. Ai gjithashtu i lidhi ato me aktivitetet e Departamentit të Punës së Frontit të Bashkuar të Kinës, një organ i Partisë Komuniste i ngarkuar me përhapjen e ndikimit dhe propagandës së saj jashtë shtetit.
"Jam shumë i shqetësuar për këtë. Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre stacioneve", tha zoti Ëray në një seancë dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit, duke pranuar ekzistencën e tyre por duke refuzuar të detajojë punën hetimore të FBI-së për këtë çështje.
"Por për mua, është skandaloze të mendosh se policia kineze do të përpiqet të hapë pika, le të themi, në Nju Jork, pa koordinimin e duhur. Kjo cenon sovranitetin dhe anashkalon proceset standarde të bashkëpunimit gjyqësor dhe ligjzbatues".
Zoti Ëray, i pyetur nga senatori republikan Rick Scott nëse stacione të tilla shkelin ligjin e SHBA-së, tha se FBI "po shqyrtonte parametrat ligjorë".
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, duke përfshirë ligjvënësit Greg Murphy dhe Mike Ëaltz, i dërguan letra Departamentit të Drejtësisë në tetor duke pyetur nëse administrata e Presidentit Joe Biden po hetonte ekzistencën e stacioneve të tilla duke argumentuar se ato mund të përdoren për të frikësuar banorët amerikanë me origjinë kineze.
Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në fillim të këtij muaji, ministria e saj e jashtme mohoi se kishte stacione të tilla në Holandë pas një hetimi nga autoritetet holandeze. Kina tha se ato ishin zyra për të ndihmuar qytetarët kinezë të rinovonin dokumentet.
Zoti Wray tha se Shtetet e Bashkuara kishin bërë një sërë aktakuzash që përfshinin qeverinë kineze për përndjeke, survejim dhe shantazh ndaj njerëzve në Shtetet e Bashkuara që nuk ishin dakord me udhëheqësin kinez Xi Jinping.
“Është një problem real dhe diçka për të cilën po flasim edhe me partnerët tanë, sepse nuk jemi i vetmi vend ku kjo ka ndodhur”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara ngritën akuza penale në tetor kundër shtatë shtetasve kinezë të akuzuar për një fushatë vëzhgimi dhe ngacmimi kundër një banori amerikan dhe familjes së tij në një përpjekje nga qeveria kineze për të riatdhesuar një prej tyre në Kinë.
Ky është rasti i fundit në të cilin Departamenti i Drejtësisë vë në shënjestër përpjekjet e Kinës për të gjurmuar njerëzit jashtë vendit që Pekini i quan të dyshuar për krime, nëpërmjet atij që njihet si "Operacioni i Gjuetisë së Dhelprave"./VOA