‘Absolute Resolve’ ishte një kombinim i “muskujve”, forcave speciale, inteligjencës dhe negociatave pas kuintave. Një operacion që u mbyll me kapjen e Nicolas Maduro dhe ekspozimin demonstrativ të të burgosurit, i detyruar të parakalonte me pranga, me sy të lidhur, me tuta dhe pantofla deri në mbërritjen e tij në Nju Jork.

Foto nga arrestimi i Maduros

Pentagonit iu dha urdhër të përgatiste një dispozitiv për një sulm të vërtetë dhe Komanda e Jugut e bëri këtë për të krijuar efekt frikësues, edhe pse më pas akti final u kufizua, me kohëzgjatjen e shkurtër tipike të një sulmi ‘blic’.

CIA, nga ana e saj, pati një rol të trefishtë: mbështetje për ushtrinë në kërkimin e objektivit që ndryshonte shpesh strehë (kishte 7–8), duke kryer operacione në terren, si dhe fillimin e negociatave të mundshme me një pjesë të regjimit, deri në sigurimin e bashkëpunimit të një ose më shumë burimeve brenda hierarkisë. Sa i lartë ishte niveli i “bashkëpunëtorëve” ndoshta do ta zbulojë koha, ashtu si edhe lloji i marrëdhënies mes atyre që janë sot në komandë në Karakas dhe Uashington.

Amerikanët përdorën një numër të madh sistemesh, më të mirat e arsenalit të tyre. Dhe u rishfaq RQ-170 Sentinel, droni i zbulimit i njohur si Bisha e Kandaharit, një referencë për shfaqjen e tij të parë në vitin 2007 në Afganistan, ku ishte dislokuar për të ndjekur drejtuesit e al-Qaeda-s. Avioni u fotografua gjatë kthimit të tij në bazën në Porto Riko dhe kontribuoi në ndjekjen e lëvizjeve të liderit venezuelian.

Droni RQ 170 në Porto Riko

Prania e Sentinel-it është e vazhdueshme në situata të vështira. Ai ka marrë pjesë në misione mbi Iranin, një ekzemplar u rrëzua atje në vitin 2011 dhe iranianët realizuan një kopje të tij, më pas ishte pjesë e operacionit për eliminimin e Osama bin Laden-it në Pakistan, ndërhyri në skenarin aziatik dhe, me gjasë, edhe në mbështetje të ukrainasve. Një “makineri” e konsideruar e domosdoshme për të asistuar manovrat e forcave speciale, goditjet ajrore dhe infiltrime. Një element i shkathët dhe fleksibël, shtesë e mbikëqyrjes nga satelitët spiunë.

Në këto orë janë rishfaqur teori mbi kontaktet e mundshme të SHBA-ve me disa drejtues venezuelianë. Dhe pikërisht përmes kësaj “rruge” CIA, së bashku me diplomatët, mund të ketë favorizuar “rënien” e Maduro-s, i sakrifikuar nga të vetët në emër të pragmatizmit dhe për të kufizuar dëmet. Kjo megjithatë nuk ka shmangur humbje jetësh mes venezuelianëve. Sepse ka situata ku, për arsye të kuptueshme, vetëm pak veta “dinë”.

Sipas një interpretimi, zv/presidentja Delcy Rodriguez i ka ofruar Donald Trump-it atë që ai dëshironte më shumë: trofeun Maduro dhe marrëveshje të ardhshme për naftën. Javët e ardhshme do të tregojnë nëse ka ndodhur vërtet kështu. Në këtë drejtim, është interesante një ekskluzive e disa muajve më parë e Miami Herald: Rodríguez, së bashku me të tjerë, do të kishte kërkuar të akreditohej pranë amerikanëve si një ndërmjetëse e re, duke përdorur ndërmjetësimin e Katarit. Një propozim për një “madurizëm pa Maduro”, i formuluar të paktën dy herë, në prill dhe në tetor. Dhe, sipas zyrtarëve amerikanë të pyetur nga Neë York Times, administrata Trump ishte ndikuar pozitivisht nga menaxhimi i sektorit të naftës nën drejtimin e zv/presidentes, deri në pikën që ta konsideronte atë një alternativë të besueshme. Po e njëjta gazetë ka shkruar se Uashingtoni i ka dërguar në dhjetor një ultimatum Maduro-s, duke e ftuar të shkonte në mërgim në Turqi, por lideri e injoroi paralajmërimin duke menduar se SHBA-të po bënin blof. Në vend të kësaj, ata dërguan specialistët e Delta Force.

Për t’u ndalur te tema e sigurisë, një detaj mbi imazhet e shpërndara nga Shtëpia e Bardhë për fazat vendimtare: ato tregojnë presidentin amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij brenda një dhome me mure të mbuluara, në mënyrë disi të përafërt, me mbulesa të zeza. Ata përdorin kompjuterë dhe, pas tyre, një ekran i “hapur” në X me “të rejat e fundit” për Venezuelën.

Dy vëzhgime nga ekspertët. E para: ambienti nuk duket i mbrojtur; nuk ka gjurmë të dukshme të një SCIF room, një tendë portative që shërben si mburojë ndaj përgjimeve dhe përdoret nga Shërbimi Sekret kur nuk është e mundur të sigurohet një hapësirë e mbrojtur.

Trump duke ndjekur operacionin në Venezuelë

E dyta: konsultimi i X (ish-Twitter) shpjegohet me nevojën për të parë lajme potencialisht të ndjeshme nga burime të hapura; dikush ka kujtuar se pikërisht në Twitter u shfaqën për herë të parë zbulimet mbi misionin kundër bin Laden-it, një scoop i një gazetari pakistanez që kishte sinjalizuar helikopterë në fluturim mbi Abbottabad./Corriere Della Sera