Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, është vlerësuar me disa dekorata dhe mirënjohje gjatë një vizite dyditore në Kosovë. Në një reagim publik, Hajdari falënderoi institucionet dhe organizatat që e nderuan me vlerësime për kontributin dhe bashkëpunimin ndër vite.
“Kënaqësi që gjatë vizitës dy ditore në Kosovë të dekorohesha nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Kosovës UÇK: ‘Për mbështetjen e palodhshme ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të gjitha etapat’”, shkroi ai.
Sipas Hajdarit, edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve e vlerësoi me dekoratë “për kontributin e dhënë ndaj bizneseve të Kosovës dhe për bashkëpunimin korrekt”. Gjatë vizitës në Prishtinë, prefekti i Tiranës zhvilloi edhe një takim me kryetarin e bashkisë, Përparim Rama.
“Pata kënaqësinë që të merrja nga ai një dhuratë simbol i Dardanisë Antike ‘Hyjnesha në Fron’, e cila i dhurohet figurave të rëndësishme që vizitojnë qytetin e Prishtinës”, u shpreh Hajdari.
Ai bëri të ditur gjithashtu se u vlerësua edhe nga Universum International College me “Çmimin për lidershipin, për kontributin në drejtësi dhe arsim”.
Komente








