Premiera e Teatrit/ Erjon Kame:
 “Tartufi” i flet hipokrizisë sonë

Premiera e Teatrit/ Erjon Kame:<br /> “Tartufi” i flet hipokrizisë sonë
TIRANE- “Hipokrizia e shoqëron njeriun në të gjitha kohërat. “Tartufi” është simbol i hipokrizisë, dhe kjo vepër i flet kohës sot, më shumë se kurrë i flet shoqërisë”, thotë regjisori Erjon Kame për premierën që pritet të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar më datat 30 dhe 31 Maj. Komedia “TARTUFI” është shkruar nga Jean Baptiste Poqeulin, që njihet me pseudonimin e artit Molier. Në shqip kjo vepër ka ardhur me përkthimin e Sotir Cacit.

Molieri lindi në vitin 1622 dhe vdiq në skenë në 1673 nga tuberkulozi gjatë reprizës së veprës “I sëmuri imagjinar”. Me mbështetjen e Louix XIII e më pas atij XIV, dhe pasi kuptoi që teatri duhet të ishte më pranë njeriut, Molieri ngriti në art problemet shoqërore etj, duke luftuar veset. Kështu ai u bë një nga dramaturgët më të suksesshëm të kohës së vet dhe gjithashtu të të gjitha kohërave.

Nëpërmjet komedisë “TARTUFI" i bën thirrje arsyes që duhet të mbizotërojë mbi pasionin. Dhe jo vetëm kaq, por kjo dramë mundet t’i bëjë një ekspozim hipokrizisë deri në ekstremet e veta. Regjisori Kame shprehet se “Tartufi është cilësuar edhe më herët dhe si një nga veprat më të rëndësishme teatrore të Teatrit Kombëtar, dhe këtë herë kjo premierë rikthen për publikun shqiptar edhe emra të dashur të teatrit që kishin vite që i mungonin skenës, siç janë aktorja e njohur Rajmonda Bulku, Laert Vasili, Gëzim Malkaj, etj. Por një moment i veçantë është dhe rikthimi në skenë i Justina Aliajt.

Regjisori Erjon Kame ka ftuar në premierën e Tartufit disa nga aktorët më të dashur të skenës: si Laert Vasilin, Ligoraq Rizën, Rajmonda Bulkun, Vajsan Lamin, Olta Dakun, Lulzim Zeqjan, Gent Deckën, Mehdi Malkaj, Vagjel Toçen, Justina Aliaj, Niada Saliasi dhe Desara Xhagolli. 

Justina Aliaj, do të ngjitet në skenë me interpretimin e zonjës Pernelë, e cila është mamaja e Orgonit. Ajo mban një qëndrim autoritar në skenë, sepse është e bindur që Tartufi është një njeri i mençur dhe i devotshëm dhe pjesa tjetër e familjes duhet të ndjek udhëzimet e tij. Zjonja Pernelë është e fundit që e kupton hipokrizinë e Tartufit. Ajo luan duke ditur t’i jap edhe disa nuanca tragjizmi komedisë.

Rajmonda Bulku thotë gjatë bisedave para provave se për të është një eksperiencë e re dhe interesante. E mësuar të luajë në skenë me regjisorë të njohur, ajo e quan një tjetër vlerë ridhënien e kësaj premiere pas kaq vitesh në Teatrin Kombëtar dhe vlerëson edhe eksperiencën e një regjisori të ri si Erjon Kame.

Bulku shprehet se artistët e brezit të ri kanë ide dhe mendime interesante dhe këto kthehen në arritje kur bashkëpunohet me aktorë e artistë të të gjithë brezave. “Edhe ne kemi qenë dikur të rinj kur jemi ngjitur në skenë, por barra e rolit ishte e njëjtë me aktorët më të pjekur. Në skenë të gjithë japin e marrin përvojë nga njëri-tjetri. Ky bashkëpunim i sjell edhe zhvillimin e teatrit”, shprehet aktorja e karrierës Rajmonda Bulku.

Në skenë është kthyer edhe aktori i njohur Vasjan Lami. Ai luan në rolin e Kleantit në komedinë “Tartufi”. Regjisori i ri Erjon Kame thotë se e ka konceptuar këtë rol si një zë të moderuar të pjesës, ku shquhet nga logjika e fortë dhe e hekurt, por në fund, edhe ai do të shfaqet si një lloj Tartufi. “Një lloj Tartufi që tashmë, nuk është i lidhur më me fenë, por me politikën. Kjo për ta sjellë sa më afër frymës sonë...” shprehet regjisori.

Olta Daku, një profil i ri në aktrimin shqiptar, luan personazhin e Dorinës në komedinë “Tartufi”. Ajo di di të sjellë të qeshura pafund në të gjitha rolet e saj. Dorina bie në sy falë saj. Lulzim Zeqja, vjen nën interpretimin e Damisit, djalit të Orgonit. Damisi është gjaknxehtë si babai i tij dhe vazhdimisht propozon masa të dhunshme për të hequr qafe Tartufin. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës