PRISHTINË, 19 Dhjetor/ATSH/.- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore, sa i përket licencimit dhe sponsorizimit në sport, duke i kushtuar rëndësi edhe kategorizimit të sportit.
Sipas KosovaPress, në takim me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, ministri Kujtim Shala ka shprehur angazhimin për rritjen e cilësisë dhe përkrahjen e merituar për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat sportive.
"Në këtë takim është diskutuar për ngritjen e cilësisë dhe ndërkombëtarizimit me të drejta të plota në federatat përkatëse evropiane e botërore të këtij sporti," thuhet në një komunikatë për media të ministrisë.
Belegu ka përmendur edhe nevojën e miratimit të ligjit për sponsorizim, i cili do të krijonte lehtësira për kërkesat tashmë në rritje nga federatat sportive për përkrahje pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës./m.m/