Prenga i përgjigjet PD: S’më zgjodhi
 Berisha, të enjten jam në Kuvend

Prenga i përgjigjet PD: S’më zgjodhi<br /> Berisha, të enjten jam në Kuvend
TIRANË - Deputeti i Lezhës, Armando Prenga do të jetë të enjten në punimet plenare të Kuvendit, përpos ngritjes së zërit nga ana e opozitës se kjo gjë është e papranueshme, sa mund të sillte bojkotin e PD-së. I kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, deputeti Prenga tha se do të marrë pjesë në jetën parlamentare normalisht, dhe për këtë nuk mund ta ndalojë askush, pasi ai është zgjedhur nga qytetarët e Lezhës dhe jo nga Berisha. “Do të marr pjesë në punimet e Kuvendit ditën e enjte dhe do të jem çdo ditë rregullisht në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Unë do të vij të përfaqësoj qytetarët e mi të cilët më kanë zgjedhur.

Mua më kanë zgjedhur banorët e Lezhës, dhe jo Sali Berisha”,-tha Armando Prenga. Ai u përgjigjet akuzave të opozitës me një rast paralel, duke u kujtuar kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, që sipas tij, vijon të jetë në detyrë dhe pse është i dënuar me burgim për shpërdorim detyre. Sipas Prengës, ky është një standard i dyfishtë i përdorur nga Partia Demokratike. “PD po sillet me standard të dyfishtë. Ajo në të vërtetë i trembet reformës në drejtësi, dhe sulmon personin tim për të përbërë kauzë.

Unë nuk jam dënuar akoma nga gjykata. Nuk ka asnjë vendim fajësie ndaj personit tim. Standardi i dyfishtë i opozitës është pikërisht kryebashkiaku demokrat i Kamzës. Xhelal Mziu është akoma në detyrë edhe pse është dënuar me burg nga gjykata për shpërdorim detyre. PD duhet të shohë fillimisht nga vetja, të largojë Xhelalin dhe pastaj të merret me mua”,-tha Prenga. Deputeti i Lezhës është i qartë se si do të veprojë, nëse ndaj tij, Gjykata e Lartë jep dënim për procesin në të cilin po gjykohet, lidhur me një përplasje me armë ndodhur vitin e shkuar në Kurbin mes familjeve Prenga dhe Cali. “Nëse gjykata do të më dënojë, unë do të kërkoj ndjesë publike dhe do të dorëzoj mandatit.

Është e thjeshtë. Por për sa kohë kjo nuk ka ndodhur, unë do të ushtroj të drejtat dhe detyrimet e mia si deputet i Lezhës në Kuvendin e Shqipërisë”,-sqaron Armando Prenga. Deputeti Prenga u rikthye të hënën në Kuvend, ku për herë të parë pas përfshirjes së tij në konfliktin me armë, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Kjo ndodhi pasi deputetit i cili qëndroi në burg për disa kohë, u lirua nga arresti i shtëpisë në detyrim paraqitjeje. Rikthimi i tij solli një reaksion të fortë të opozitës, e cila e cilësoi praninë e tij të papranueshme në parlament.

PD akuzoi PS-në se po sfidon dekriminalizimin. Por dje PS, përmes këshilltarit të grupit parlamentar, Besjan Ajazi sqaroi se Prenga nuk ishte deputet i tyre. “Në janar të 2016, Prenga nuk figuron më si anëtar i grupit parlamentar socialist, në bazë të vetëdeklarimit të çdo deputeti për përkatësinë në grupimet parlamentare”, – sqaron PS.

Mungesat. Kategorike, PS njoftim deputetëve: Mos mungoni të enjten
Mungesa e deputetëve të së majtës ditën e djeshme në komisionet parlamentare, në kushtet që kur edhe opozita mungonte, ka bërë që komisionet parlamentare të dështonin në mbledhjet e tyre. Edhe pse e majta përbën shumicën në çdo komision parlamentar, dje asnjë komision nuk u mblodh sepse nuk u bë kuorumi i mjaftueshëm, sepse socialistët mungonin. I vetmi komision që arriti të bënte një mbledhje 5 minutëshe, ishte ai i ligjeve, i cili u ndihmua nga prania e deputetit të opozitës, Fatmir Mediu.

E ndodhur në këto kushte, Partia Socialiste u ka dërguar dje një mesazh njoftues të gjithë deputetëve të saj, ku u ka kërkuar të mos mungojnë për asnjë arsye në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohen dekretet e Presidentit për emërimin e dy ministrave të rinj, Ahmetaj dhe Ekonomi. Mungesa e mundshme e opozitës, dhe ndonjë mungesë sporadike e socialistëve, mund të rrezikojë arritjen e kuorumit, duke bërë kështu, që edhe këtë javë, dy ministrat e rinj të mos dekretohen. Për të shmangur këtë, PS ka njoftuar qysh ditën e sotme anëtarët e saj në Kuvend, që të mos mungojnë.

Dekretimi i dy ministrave të rinj të Financave dhe Ekonomisë, vijnë pas një jave të gjatë debati mes qeverisë dhe presidencës, të cilat nën hullitë kushtetuese, zvarritën drejtimin e këtyre dy dikastereve, zvarritje e cila pritet të përfundojë këtë javë.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza