Në kuadër të Presidencës në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sot Shqipëria do të organizojë debatin e hapur “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e axhendës “Gratë, paqja dhe siguria, përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”.
Me rastin e këtij debati, Olta Xhaçka, përmes një video mesazhi ka nënvizuar se pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes ende sfidohet nga barrierat strukturore. Sipas saj rritja e grushteve ushtarake të shtetit, ka ndikuar në perspektivat e organizatave të grave.
Mesazhi i plotë i Xhaçkës
Që nga 1 qershori 2022, Shqipëria ka marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Sigurimit. Ky është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe në të njëjtën kohë! Si pjesë e angazhimeve tona, për të mbrojtur dhe avancuar më tej agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria do të organizojë më datë 15 Qershor, një event shënjues, një Debat të Hapur me titull “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e agjendës ‘Gratë, Paqja dhe siguria’, përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”.
Që nga miratimi historik i Rezolutës 1325 (2000), kuadri normativ në fushën “ Gratë, Paqja dhe Siguria”, ka vazhduar të zhvillohet gjerësisht. Megjithatë, pavarësisht zhvillimit të politikave të tilla, gjatë dy dekadave të fundit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zbatimin e tyre. Pjesëmarrja kuptimplotë e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe përfshirja e tyre kuptimplotë në parandalimin e konflikteve dhe negocimit të proceseve të paqes, ende sfidohet nga barrierat strukturore, mungesa e aksesit në burimet politike dhe ekonomike, si dhe nga një mentalitet kryesisht mashkullor i politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare.
Ngjarjet e fundit në pjesë të ndryshme të botës, në Ukrainë, Afganistan, Sudan, Myanmar, Mali, Etiopi etj., nuk kanë kërcënuar vetëm arritjet e brishta të agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, por edhe jetën, punën e grave paqendërtuese dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Rritja e fundit e grushteve ushtarake të shtetit dhe kapja e pushtetit me forcë, ka ndikuar në mënyrë drastike, në perspektivat e organizatave të grave dhe avokatëve të barazisë gjinore në këto vende si dhe ka testuar aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të përmbushur mandatin e Këshillit të Sigurimit.
Një koordinim më i mirë dhe një bashkëpunim më i ngushtë, ndërmjet Këshillit të Sigurimit dhe organizatave rajonale dhe nën-rajonale, mund të bëjë diferencën në terren. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për njohuri dhe perspektiva të reja, për të përshpejtuar zbatimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”.
Ne besojmë fuqimisht se organizatat rajonale dhe nën-rajonale, mund të luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim, veçanërisht gjatë këtyre kohërave të trazuara. Këtë do të përpiqemi të arrijmë gjatë Debatit të Hapur: Të identifikojmë mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, në kontekste të diktuara nga një grusht ushtarak shteti i mundshëm apo nga marrja e pushtetit me forcë; Të ndajmë përvojat dhe idetë më të mira mbi mënyrat se si Këshilli i Sigurimit ose organizatat rajonale, mund të mbrojnë dhe avancojnë më tej këtë agjendë në situata të tilla; Të mbështesim punën e atyre grave që kontribuojnë në ndërtimin e paqes, organizatave të shoqërisë civile dhe ta vendosim analizën gjinore në qendër të strategjive tona të parandalimit dhe reagimit.
Së bashku, mund të arrijmë shumë më tepër dhe të mbajmë premtimet e bëra për popujt tanë, veçanërisht për gratë dhe vajzat anembanë botës.
Lajm në përditësim...
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka dhënë një deklaratë për mediat para nisjes së Debatit të Hapur në Këshillin e Sigurimit.
Ajo ka bërë të ditur se Këshilli po mblidhet për të diskutuar mbi Agjendën për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
“Roli i organizatave rajonale në zbatimin agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”, ka bërë me dije ajo.
Sipas ministres, ngjarjet e fundit nëpër botë kanë ndikuar në perspektivat për organizatat e grave dhe avokatët e barazisë gjinore
“Organizatat rajonale kanë kapacitete unike, që ndihmojnë në përshpejtimin e kësaj agjende. Debati i Hapur do të ketë një qëllim të dyfishtë.
Së pari, për të hedhur dritë mbi mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ të kësaj agjende.
Së dyti, për të ndarë përvoja dhe ide mbi mënyrat se si KS ose organizatat rajonale mund të avancojnë më tej këtë agjendë.
Vetëm duke punuar së bashku, mund të mbyllim hendekun midis kuadrit normativ dhe zbatimit të agjendës në terren”, është shprehur ajo.
Ministrja ka shtuar se ky bashkëpunim është veçanërisht jetik në kontekstin e grushteve ushtarake të fundit dhe marrjes së pushtetit me forcë
Ky debat, sipas saj do të shërbejë si një mundësi e mirë për të shkëmbyer pikëpamje, ide si dhe për të ndarë përvoja.
Në debatin e hapur të drejtuar nga Shqipëria do të marrë pjesë sekretarja e përgjithshme e OSBE dhe përfaqësues nga unioni afrikan, liga arabe, BE dhe UN Women.
'Këshilli do të mblidhet sot për të diskutuar mbi Agjendën për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, ku do të kem nderin dhe kënaqësinë ta kryesoj në emër të Presidencës Shqiptare një Debat të Hapur me temë “Roli i organizatave rajonale në zbatimin agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”.
Ngjarjet e fundit në Ukrainë, Afganistan, Sudan, Myanmar ose Mali, duke përmendur vetëm disa prej tyre, kanë ndikuar në mënyrë drastike në perspektivat për organizatat e grave dhe avokatët e barazisë gjinore në këto vende. Angazhimet kombëtare për gratë, paqen dhe sigurinë janë ndërprerë papritur dhe hapësira qytetare është tkurrur në mënyrë dramatike.
Roli i organizatave rajonale në çështjet që lidhen me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm duke pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e sfidave me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar sot.
Në shumë mënyra, organizatat rajonale kanë kapacitete unike dhe plotësuese që kur koordinohen siç duhet me Sistemin e OKB-së, mund të prodhojnë rezultate të mira, të shpejta dhe efektive, në ruajtjen ose përshpejtimin e zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, veçanërisht në kontekstin e trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë.
Organizatat rajonale janë shpesh të parat që reagojnë në përgjigje të krizës, për t’u angazhuar me palët e interesuara për të siguruar mbrojtjen e civilëve. Ato janë të vendosura në mënyrë unike për të ndërtuar besim dhe për të promovuar dialogun ndërmjet palëve të interesuara, si dhe për të ofruar mbështetje në ndërmjetësimin dhe pajtimin; dhe mund të jenë ndikuese në avokatimin për pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave, si dhe në sigurinë dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e paqes dhe sigurisë.
Ky Debat i Hapur do të ketë një qëllim të dyfishtë:
Së pari, për të hedhur dritë mbi mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ për gratë, paqen dhe sigurinë në kontekste të shënuara nga grushtet ushtarake të fundit, apo marrja e pushtetit me forcë.
Së dyti, për të mbledhur dhe ndarë përvojat dhe idetë më të mira mbi mënyrat se si Këshilli i Sigurimit ose organizatat rajonale mund të mbrojnë dhe avancojnë më tej këtë agjendë në situata të tilla, duke përfshirë mbështetjen e punës së grave paqendërtuese, organizatave të shoqërisë civile dhe ta vëmë analizën gjinore në qendër të strategjive tona të parandalimit dhe reagimit.
Vetëm duke punuar së bashku me organizatat rajonale, mund të mbyllim hendekun e madh midis kuadrit normativ dhe zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në terren.
Ky bashkëpunim është veçanërisht jetik në kontekstin e grushteve ushtarake të fundit dhe marrjes së pushtetit me forcë, ku kemi qenë dëshmitarë të ndërprerjes së papritur të angazhimeve kombëtare për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Unë besoj fuqimisht se Debati i Hapur i sotëm do të shërbejë si një mundësi e mirë për të shkëmbyer pikëpamje, për të ndarë përvojat më të mira dhe për të sjellë njohuri dhe perspektiva të reja se si të përshpejtohet zbatimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ju falënderoj!'- thuhet në njoftimin e ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme.