TIRANE-Presidenca sot ka ulur flamurin kombëtar në gjysmështizë në nderim e mirënjohje të George H.W Bush, që ndërroi jetë 4 ditë më parë. “Në nderim e mirënjohje të veprës së vyer të Presidentit të 41 të SHBA-ve, George H.W Bush ndaj ndryshimeve të para demokratike në Shqipëri e qëndrimit të tij të palëkundur për liritë e të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, në vlerësim e respekt të thellë ndaj betejës së tij të palodhur për lirinë dhe shembjen e Murit të Berlinit, Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidencës është ulur sot në gjysëmshtizë” shkruan Presidenti Ilir Meta.
George Herbert Walker Bush lindi më 12 qershor 1924. Ai ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president. Bush ka qenë drejtor i CIA-s, i dërguar i SHBA në Pekin, kongresmen republikan, nënpresident dhe më pas President nga viti 1989 deri në 1993. George H.W pasoi në Shtëpinë e Bardhë Ronald Reagan. Bush shpesh njihej si “George H W Bush”, “Bush 41”, “Bush Plaku”, apo “George Bush Sr.” për ta dalluar nga djali George W. Bush.
Jo vetëm për diplomacinë në Luftën e Ftohtë dhe në kohën e rënies së Murit të Berlinit, por George H. W. Bush do të mbetet në memorie për shqiptarët edhe për mesazhin e tij në 1992 për Sllobodan Millosheviç ku e paralajmëronte se në rast të një konflikti në Kosovë SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. "Në rast se në Kosovë shkaktohet konflikt nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi", deklaronte Bushi asokohe (lexo këtu).