TEHERAN - Në Iran po zhvillohen zgjedhjet presidenciale të cilat sipas analistëve do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit islamik. Më shumë se 50 milionë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur pasardhësin e presidentit në detyrë Mahmoud Ahmadinejad, pasi sipas Kushtetutës ai nuk mund të kandidojë për të tretën herë.

Në këto zgjedhje që po zhvillohen në një periudhë kritike për Iranin, 6 janë kandidatët për president, ku 3 kryesorët janë Hassan Rouhani, Mohammed Ghalibaf dhe Saeed Jalili. Mediat iraniane flasin për fitoren e konservatorit Ghalibafi, kryebashkiaku i Tehranit por edhe kandidati i moderuar Rouhani i njohur në Perëndim për negociatat për pezullimin e pasurimit të uraniumit në 2003 është një kandidat favorit.

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei i cili është autoriteti më i lartë shpritëror dhe politik në vend u kërkoi qytetarëve më të drejtë vote, që të marrin pjesë në mënyrë masive në votime. Presidentit të ri do t’i duhet të përballet me shumë çeshtje delikate si ekonomia e prekur nga sanksionet e fuqive të mëdha, armët bërthamore, mardhëniet me Perëndimin në veçanti me SHBA-n, qëndrimin e Tehranit kundrejt regjimit të presidentit sirian si dhe shumë të tjerë të cilat janë të rëndësishme jo vetem për rajonin, por për sistemin ndërkombëtar në gjerësi.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)