Presidentët Trump dhe Putin, bisedë telefonike për krizën Venezuelën

Presidentët Trump dhe Putin, bisedë telefonike për krizën Venezuelën

Kriza në Venezuelë ishte mes temave të diskutuara të premten në një telefonatë midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

"Presidenti përsëriti nevojën për një kalim paqësor" në Venezuelë, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës rreth ngjarjeve gjithnjë e më destabilizuese në Karakas janë rritur ditët e fundit. Administrata Trump ka akuzuar rusët se nuk po e lejojnë presidentin venezuelian Nicolas Maduro të lërë pushtetin dhe të largohet nga vendi.

"Kjo është hemisfera jonë", tha të mërkurën këshilltari i sigurimit kombëtar John Bolton. "Nuk është një rajon ku rusët duhet të ndërhyjnë".

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, në një telefonatë të kësaj jave javë, i foli Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo për "pasojat e rënda" nëse në Venezuelë do të ketë hapa të mëtejshëm agresivë, e interpretuar kjo si një paralajmërim që Uashingtoni të mos ndërhyjë ushtarakisht.

Pompeo dhe Lavrov pritet të bisedojnë në periferitë e një sesioni ministror të Arktikut në Finlandë javën e ardhshme dhe Venezuela thuajse me siguri do të jetë temë e diskutimit.

"Ata do të kenë mundësi, padyshim, që të takohen dhe të shqyrtojnë çfarëdo teme që zgjedhin," u tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit gazetarëve në një konferencë telefonike lidhur me udhëtimin e zotit Pompeo.

Ekipi i sigurisë kombëtare të presidentit, përfshirë zotin Bolton, sekretarin e Mbrojtjes Patrick Shanahan, nënsekretarin e Mbrojtjes John Rood dhe komandantin e Komandës Jugore të SHBA, Admiralin e Marinës Craig Faller u mblodh të premten në një sallë të sigurt të Pentagonit, e rezervuar për diskutime të niveleve të larta sensitive dhe për operacione ushtarake.

Zyrtarët e mbrojtjes thonë se ata diskutuan alternativat rreth Venezuelës.

"Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme," tha zonja Sanders në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës nëse në takim ishte folur për një ndërhyrje ushtarake të SHBA në Venezuelë.

Ajo përsëriti se "të gjitha opsionet vazhdojnë të jenë në tryezë", diçka që disa zyrtarë të administratës vazhdojnë ta thonë prej javësh.

Sekretari i Mbrojtjes Shanahan u tha gazetarëve se takimi shqyrtoi gjendjen në Venezuelë dhe u mbajt për të siguruar që brenda administratës të ketë qëndrime të njëjta për vendin e Amerikës së Jugut.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të tjera perëndimore nuk e njohin Maduro-n si udhëheqësin legjitim të Venezuelës, duke njohur në vend të tij Juan Guaido-në, president i Asamblesë Kombëtare të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Në thirrjen telefonike Trump-Putin të së premtes, për të cilën zonja Sanders tha se zgjati më shumë se një orë, presidenti amerikan i kërkoi gjithashtu udhëheqësit rus që të ushtrojë trysni mbi Korenë e Veriut për çnuklearizimin e vendit.

Sipas zëdhënëses Sanders, u diskutua edhe mundësia e një marrëveshjeje të re bërthamore që përfshin Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën ose zgjerimin e paktit aktual.

Të dy udhëheqësit, tha zonja Sanders, biseduan edhe rreth gjendjes në Ukrainë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se përveç kësaj, u përmend "shumë, shumë shkurt" raporti Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe Presidenti Trump i përcolli homologut të tij se tashmë hetimi ka përfunduar.

Zonja Sanders nuk hyri në hollësi për atë se çfarë i tha Presidenti Trump zotit Putin lidhur me shqetësimet e qeverisë amerikane se Moska vazhdon përpjekjet për të ndërhyrë në procesin zgjedhor amerikan. Duke iu refereruar çështjes së ndërhyrjes në përgjithësi, ajo tha se "Ne do të bëjmë gjithshka mundemi për të mos lejuar që kjo të ndodhë"./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Veliaj: Shpërblime për fundvit për 4360 mijë punonjës të shërbimeve mbështetëse

Veliaj: Shpërblime për fundvit për 4360 mijë punonjës të shërbimeve mbështetëse