Begaj dekoron me 'Kalorësi i Urdhrit të Flamurit' ambasadorin amerikan Walker: I pari që i ekspozoi botës masakrën e Reçakut nga Serbia

TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka dekoruar ambasadorin amerikan William Walker me medaljen më të lartë 'Kalorësi i Urdhrit të Flamurit'. Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Presidencës, Begal vlerësoi rolin e Walker në mbështetjen e shqiptarëve.

Begaj e dekoroi ambasadorin me motivacionin se ishte ndër të parët persona që ekspozoi në të gjithë botën masakrën e Reçakut nga Serbia. Presidenti u shpreh se falë angazhimit të Walker e gjithë bota u informua mbi krimet serbe në Kosovë. Ambasadori i OSBE aso kohe, Walker do të botojë edhe një libër ku do të rrëfejë mbi gjenocidin serb në Kosovë, konkretisht për masakrën e Reçakut, përgjakjen e së cilës e dëshmoi edhe vetë.  

“Të jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për mbështetjen e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh të shqiptarëve. Ju do të botoni një libër për Reçakun. Jam i sigurt se ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë. Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, Ambasadorit William Walker kam nderin t’i jap në emër të shtetit shqiptar dhe në emër të të gjithë shqiptarëve një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë, atë të "Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”, tha Begaj.

Një ditë pas kryerjes së masakrës së Reçakut në vitin 1999, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi se kishte parë ngjarjen më të trishtë të jetës së tij.

"Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time." Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit ishin disa prej deputetëve socialistë, por edhe disa deputetë të opozitës, mes tyre Lulzim Basha e Ervin Salianji.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin, prej vendeve të quajtura, Pishat, Gështenjat, Rrasa e Çallakut dhe nga Çesta përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjenin një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e bëri të pamundur një gjë të tillë. Nga ky rrethim u ekzekutan 45 shqiptarë. Ditën e djeshme u shënuan 24 vjet nga masakra e Reçakut. 

 

I pranishëm Lulzim Basha

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:34
Dekorimi i ambasadorit Walker, Basha: I lumtur që isha i pranishëm, mbetet zë i fuqishëm i së vërtetës së masakrave ndaj Kosovës

Ish-kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në presidencë gjatë momentit që kreu i shtetit Bajram Begaj nderoi ambasadorin William G. Walker, i cili u shndërrua në zë i së vërtetës së dhimbshme për masakrën e Reçakut në Kosovë. Në një postim në rrjetet sociale Basha shkruan se ishte i lumtur që ishte pjesë e ceremonisë së nderimit. Ish kreu i PD-së, nënvizoi se Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë.

‘I lumtur të isha pjesë e ceremonisë së nderimit të Ambasadorit William G. Walker, me një nga titujt më të lartë të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhërit të Flamurit” akorduar nga Presidenti i Republikës. Ne shqiptarët jemi përjetë mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker.

Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, ai u shndërrua në zërin e të vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira, çka solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe spastrimin etnik që po kryente regjimi i Milosheviçit në Kosovë. E ndërsa përpjekjet për të barazuar viktimën me agresorin vazhdojnë nga politika e Beogradit, Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë.’- shkruan Basha.

 

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja