Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë me vlerë 302 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) për fushën e mbrojtjes.
Për marrëveshjen, e cila u miratua në Parlament më 27 korrik me 74 votat e socialistëve, bisedimet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur që në vitin 2024. Dhe e gjithë vlera e kredisë, do të përdoret për blerjen e prodhimeve amerikane. Siç mëson Report TV, Shqipëria synon të marrë pajisje dhe sisteme luftarake, madje disa prej tyre edhe ofensive. Sipas marrëveshjes, dy vitet e para lihen si një dritare kohore për të negociuar llojet e pajisjeve dhe sasinë që synohet të blihet, pavarësisht se ky moment konsiderohet thuajse i ezauruar që gjatë bisedimeve paraprake.Kredisa do të lëvrohet pjesë pjesë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat do të duhet të përmbyllen brenda 4 vitesh.
Vetë kredia ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh. Report TV mëson se ajo do të jetë me një interes që luhatet mes 4 dhe 5 përqind. Por nga ana tjetër ajo parashikon që të mund të shlyhet edhe përpara kohe, pa penalitete.
Komente








