“Ëndrra Amerikane ka qenë busull dhe frymëzon edhe përtej kufijve.” Kështu u shpreh Presidenti Bajram Begaj, gjatë një ligjërate në Texas A&M University dhe në Bush School of Government and Public Service në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në forumin “The American Dream at 250: Still within Reach?”. Që prej vitit 1982, kjo traditë mbledh udhëheqës shtetesh, liderë politikë dhe ekspertë akademikë të njohur ndërkombëtarisht.
Në fjalën e mbajtur në forum, Begaj e përshkroi këtë ëndërr si të arritshme, frymëzuese dhe që i përket të gjithëve.
“Për vende si Shqipëria, ëndrra amerikane ka qenë busull… dhe për sa kohë frymëzon përtej kufijve, ajo nuk i përket vetëm Amerikës” tha Begaj në fjalën e mbajtur në këtë forum.
Ndër të tjera, Begaj reflektoi mbi historinë, demokracinë, lidershipin dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.
Ai solli në kujtesë izolimin ekstrem të Shqipërisë komuniste që me gjithë 750,000 bunkerët prej betoni të ndërtuara nga regjimi, në të arriti të depërtojë dëshira dhe ëndrra amerikane.
Presidenti solli në kujtesë edhe momentet e vitit 1991 kur shqiptarët kërkuan të jenë të lirë dhe zgjodhën Amerikën “ jo si simbol abstrakt, por si partner konkret, reall, si pikë referimi strategjik”.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vuri theks të veçantë te forca e institucioneve demokratike dhe kultura e debatit në SHBA. Ai ftoi të rinjtë ta mbajnë gjallë ëndrrën amerikane sepse ajo është deshmia se liria funksionon.
“Në një demokraci të shëndetshme, një institucion bëhet më i fortë kur njerëzit brenda tij janë të lirë ta sfidojnë atë” tha Begaj.
Gjatë vizitës në shtetin e Teksasit, Presidenti i Republikës u prit në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të autoriteteve vendore
Ai u nderua me “Çelësin e Qytetit” të Bashkisë së Conroe-s.
Kreu i Shtetit zhvilloi gjithashtu homazhe në Memorialin e Veteranëve në Montgomery County, ku përfshihen edhe emrat e shqiptaro-amerikanëve që shërbejnë në ushtrinë amerikane.
Në vijim të vizitës, Presidenti kreu gjithashtu homazhe në varrin e Presidentit Xhorxh Bush.
Komente










