Mes qindra shqiptarëve në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Bajram Begaj dha mesazhin se diaspora nuk është larg Shqipërisë, por pjesë integrale e saj.
Ky mesazh erdhi gjatë takimeve që ai zhvilloi me komunitetin shqiptar dhe autoritetet vendore në kuadër të vizitës së tij në këtë qytet.
Begaj u takua me zëvendësguvernatoren e Massachusetts, Maura Healey, kryetarë bashkish dhe përfaqësues të institucioneve vendore në zonat ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në këtë kuadër, kryetari i Bashkisë së Worcester-it, Joe Petty, i dorëzoi Presidentit Begaj Çelësin e Qytetit.
Presidenti vizitoi gjithashtu Katedralen “Shën Gjergji” në Boston, Bibliotekën e Fan Nolit dhe Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Maria”.
Në Qendrën Komunitare Shqiptare në Beverly, ai u prit nga kryetari i bashkisë së Beverly, Michael P. Cahill dhe qindra shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, në një takim që mori karakterin e një feste të vërtetë të diasporës.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vuri theksin te rëndësia historike e Bostonit për shqiptarët dhe roli i diasporës në formësimin e shtetit shqiptar.
“Bostoni për ne shqiptarët është një vend me kujtesë. Një vend ku historia jonë nuk është vetëm në libra, por në njerëz, në familje, në institucione dhe në komunitetin që ju e keni ndërtuar me punë dhe përkushtim. Këtu janë folur ide të hershme për shtetin, kombin dhe orientimin tonë perëndimor. Nga diaspora e hershme, nga koha e Fan Nolit, deri te familjet që kanë ardhur në vitet ’90, ky komunitet ka qenë gjithmonë një zë i fortë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës. Shumë prej jush e dini nga përvoja personale se çfarë do të thotë të largohesh nga vendi. Por ajo që është më e rëndësishme është se nuk e keni harruar kurrë prej nga vini. Keni ruajtur gjuhën, traditën dhe lidhjen me Shqipërinë dhe Kosovën,” u shpreh Begaj.
Në përfundim, Begaj theksoi nevojën për një lidhje më të fortë mes shtetit dhe diasporës.
“Ne kemi kaluar shumë si komb dhe kemi një mundësi të re për të ndërtuar të ardhmen. Kjo nuk bëhet vetëm nga brenda vendit, por bashkë me ju. Ju nuk jeni larg Shqipërisë, jeni pjesë e saj,” deklaroi Presidenti.
Ai shtoi se kjo lidhje duhet të forcohet dhe të kthehet në bashkëpunim konkret në shërbim të zhvillimit të vendit.
“Le ta forcojmë këtë lidhje, me besim, respekt dhe vizion të përbashkët,” përfundoi Presidenti Begaj.
Komente









