Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot (18 Dhjetor) në Ditën Kombëtare të Diasporës, Këshillin Koordinues të Diasporës shqiptare.
Pasi shprehu mirënjohje dhe vlerësim për kontributin e tyre në dobi të kombit shqiptar, kreu i shtetit theksoi se shteti shqiptar, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, ‘duhet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë përkohësisht ose gjithmonë’.
“Ju, shqiptarët e Diasporës, jeni energjia më pozitive e Shqipërisë, jeni shembulli më frymëzues se si shqiptarët, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të integrohen, të bëhen pjesë aktive e shteteve ku ata jetojnë por, nga ana tjetër, nuk e kanë harruar atdheun e tyre të parë, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Presidenti vlerësoi të gjitha iniciativat, organizimet e Diasporës shqiptare në mbrojtjen, ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, duke falënderuar në mënyrë të veçantë mësuesit vullnetarë për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimit të gjuhës shqipe.
Së bashku me Këshillin Koordinues të Diasporës, Presidenti ndau ide dhe propozime mbi gjetjen e rrugëve të reja për lehtësimin e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e lindur në Diasporë, nëpërmjet krijimit të platformave kombëtare televizive.
Këshilli i Diasporës vlerësoi mbështetjen e Begajt që në ditën e parë të betimit të tij, për votën e emigrantëve.
“Vota e Diasporës është shumë e rëndësishme dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 11 Maj kishte të bënte me faktin e realizmit të kësaj vote. Mendoj se vota e Diasporës është shumë domethënëse për Shqipërinë”, u tha presidenti të pranishmëve në lidhje me këtë çështje.
Begaj shprehu bindjen se do të vijojë me iniciativat e tij të “promovimit të vlerave të modelit të shqiptarit të mirë, kudo ku ai ndodhet, jeton dhe punon, ruajtjen e gjuhës shqipe si ADN-ja e identitetit tonë kombëtar, leximit të librit shqip dhe trashëgimisë sonë të pasur historike e kulturore”.
Në mbyllje të këtij takimi, Presidenti tha se e konsideron Diasporën shqiptare “si një dhe të vetme” dhe se “vetëm po të jemi të gjithë bashkë, do të jemi më të fortë”.
Këshillit Koordinues i Diasporës
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se nesër në orën 09:00, do të mbahet takimi i 4-ët vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.
Në sesionin e parë të takimit të KKD, do të mbajnë fjalën e rastit kryetari i KKD Mark Gjonaj, ministri Igli Hasani dhe kryeministri Rama.