Presidenti Bajram Begaj priti këtë të hënë në Tiranë kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimin evropian dhe zhvillimet në rajon.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërparlamentar ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e tyre.

Begaj falënderoi Kroacinë për mbështetjen politike ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe për ndihmën teknike dhe ndarjen e eksperiencës gjatë këtij rrugëtimi.

“Rruga juaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të na frymëzojë, duke treguar se reformat e vendosura sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe të gjithë rajonin”, u shpreh Presidenti.

Kreu i Shtetit nënvizoi, gjithashtu, angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur qëllimin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje rezultatet konkrete të reformave të zbatuara vitet e fundit, të cilat janë njohur nga partnerët evropianë.

“Ndërsa Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare, fokusi do të jetë në mbylljen e kapitujve dhe finalizimin e negociatave”, - theksoi Kreu i Shtetit, duke shprehur bindjen për mbështetjen e palëkundur nga Kroacia dhe parlamenti i saj. 

“Fqinjësia e mirë dhe fryma bashkëpunuese duke parë nga e ardhmja janë thelbësore për një rajon të sigurt dhe të begatë”, shtoi ai, duke vlerësuar gjithashtu angazhimin për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat rajonale dhe Euroatlantike.