Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Presidenca njofton se biseda u fokusua në sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre.
“Presidenti i Republikës siguroi z. Kamberi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës mbeten parësore për ne deri në zgjidhjen e tyre”, u shpreh kreu i shtetit.
Më tej ai theksoi se “hapja e afërme e Konsullatës së Përgjithshme në Bujanoc është një hap i rëndësishëm”.
“Nuk duhet që askush në shekullin XXI të dënohet për përdorim të simboleve kombëtare, për mbajtjen e flamurit. Në takimet e mia me ndërkombëtarët kam theksuar domosdoshmërinë e ndalimit të pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të të rinjve që mbyllin studimet në Shqipëri e Kosovë, si një e drejtë që garantohet edhe nga Procesi i Berlinit”, theksoi Presidenti Bajram Begaj.
Në fund, ai përgëzoi Kamberin për “të gjithë aktivitetin politik, për të gjithë avokaturën në Parlamentin e Serbisë për të mbrojtur çështjen, gjakun, dinjitetin shqiptar”.