Kreu i shtetit thotë integrimi evropian mbetet objektivi strategjik më madhor për Shqipërinë.
"Zgjedhja juaj në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.
Jam i bindur se nën lidershipin tuaj, Parlamenti Evropian jo vetëm që do të kontribuojë në adresimin me sukses të sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe qytetarët e saj, por do të vijojë t’i japë një mbështetje thelbësore procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Integrimi evropian mbetet objektivi strategjik më madhor për Shqipërinë dhe Ju siguroj se institucionet shqiptare janë të angazhuara për përmbushjen në një kohë sa më të shkurtër e me sukses të prioriteteve kyçe dhe standardeve të nevojshme që do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Mbështetja Juaj dhe e Parlamentit Evropian janë thelbësore në këtë proces.
Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të afërt, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë" shprehet Nishani.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i lumtur për zgjedhjen e Antonio Tajanit në postin e Presidentit të Parlamentit Europian, pasi sipas tij do të ndihmojë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Lideri demokrat thotë se Antonio Tajani është jo vetëm nën kryetar i Partisë Popullore Europiane ku bën pjesë Partia Demokratike, por edhe një mik që ka mbështetur përherë përpjekjet e Shqipërisë për zhvillim ekonomik.
"Sot i përcolla urimet e mija Antonio Tajanit, Presidentit të sapozgjedhur të Parlamentit Europian. Z. Tajani është është jo vetëm nenkryetar i Partisë Popullore Europiane ku bën pjesë Partia Demokratike, por edhe një mik i jashtezakonshem.
Si Zëvendës President i Komisionit Europian dhe Komisioner i BE ai ka mbështetur përherë perpjekjet e Shqipërisë për zhvillim ekonomik. Jam i lumtur për zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit Europian që do të më japë mundësinë të punojmë së bashku për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në BE" shprehet Basha.
Parlamenti Europian ka zgjedhur dje President, italianin Antonio Tajani, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Silvio Berlusconit.
Ai arriti të sigurojë 351 vota, ndërsa rivali i tij, një tjetër italian, Gianni Pittella mori 282 vota.
dy.b/shqiptarja.com