Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka paralajmëruar Izraelin se do të përgjigjet në po të njëjtën mënyrë, në rast të ndonjë sulmi të ardhshëm me raketa.

Këto komente presidenti sirian i bëri në një intervistë për një televizion libanez, duke thënë se ka një “presion popullor” për të hapur një front lufte kundër Izraelit, në Lartësitë Golan. Gjithashtu ai tha se Siria mund të ketë marrë tashmë dërgesën e parë të sistemit mbrojtës anti-raketor nga Rusia sipas një marrëveshje eksporti armësh, firmosur kohë më parë. 

Ndërkohë nga ana e tij, Izraeli thotë se i konsideron raketat ruse si një kërcënim serioz ndaj sigurisë së tij. Deri tani Izraeli ka ndërmarrë 3 sulme me raketa në Siri, për të ndaluar transferimin e armëve të rënda drejt Hezbollahut në Liban.

Zyrtarisht Lartesitë Golan njihen si territor Sirian i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 i cili aneksoi territorin në vitin 1981, në një lëvizje, e cila nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Siria dhe Izraeli kanë qenë në gjendje lufte, që prej 1948, por kufiri ka qenë relativisht i qetë gjatë viteve të fundit.

Në fund Assad ka përsëritur se Qeveria siriane është e gatshme në parim për të marrë pjesë në konferencën e paqes në Gjenevë, por se çdo marrëveshje do të duhet të vihet në referendum.

Konflikti sirian filloi në vitin 2011 kryesisht me demonstrata paqësore kundër Asad që më pas u kthyen në një luftë civile, në të cilin Kombet e Bashkuara thonë se rreth 80 mijë njerëz kanë mbetur të vrarë.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)