Institucioni i Presidentit të Republikës ka njoftuar dekretimin e Gjeneral Major Bajram Begaj, përmes një dokumenti zyrtar.
Presidenti Ilir Meta ditën e sotme ka dekretuar emërimin e Gjeneral Major Bajram Begaj, si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Më përpara Gjeneral Major Bajram Begaj mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998. Ai gjithashtu ka përfunduar 'Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë', ndërsa mban edhe titullin 'Profesor i Asociuar' në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Gjeneral Major Begaj mbante postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (SHSHPFA) është detyra më e lartë ushtarake në FA. Mandati i tij është 3-vjeçar dhe emërohet me dekret të presidentit të Republikës, me propozim të kryeministrit. Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA në vitin 2017.
Gjeneralmajor Bajram Begaj i dekretuar sot si shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të FA, mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Kjo eshte hera e pare qe nje mjek emerohet shef i shtabit te pergjithshem. Kjo eshte nje çudi. Nuk kam asgje per figuren profesionale te Mjekut Beqaj por per papershtatshmerine e tij me funksionin.
Përgjigju