TIRANË - Presidenti Bujar Nishani ngatërron kuptimin e Krishtlindjes me Pashkët. Në përshëndetjen që ai u dërgon shqiptarëve ai i uron nga zemra për "ditën e shenjtë të Ringjalljes".

Duke ngatërruar Lindjen e Krishtit (Krishtlindjen) nga Maria në Nazaret me ditën e Ringjalljes së tij tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Fjala Ringjallje, tipike e Pashkëve, përdoret disa herë në njoftim, madje dhe "Krishtlindja, duke qenë festë e Ringjalljes", duke lënë jashtë çdo dyshimi se bëhet fjalë për një ngatërrim e jo një përdorim të qartë të fjalës.

URIMI I PLOTË I PRESIDENTIT BUJAR NISHANI:

Ju uroj nga zemra;

Gëzuar Krishtlindjet.

Gëzuar ditën e shenjtë të Ringjalljes.

Gëzuar këtë festë të madhërishme që ngroh zemrat, ndriçon shpirtrat, kthjellon mendjet.

Krishtlindjet, duke qenë festë e Ringjalljes, janë vetvetiu edhe festë e shumëçkaje tjetër që Ringjallja nënkupton dhe përcjell; festë e urtësisë, mirësisë, mirëkuptimit, afrimit, pajtimit, paqes, gjallërisë, zbukurimit dhe begatimit të jetës.

Festa e Krishtlindjeve këto i arrin përmes evokimit të virtyteve më të larta njerëzore; dashurisë, mëshirës, respektit, mirësjelljes, qytetarisë.

Kjo festë e shenjtë, na jep rastin të dëshmojmë se detyrimet e pashmangshme njerëzore nuk i harrojmë por i kujtojmë. E jo vetëm i kujtojmë, por edhe i zbatojmë.

Të tilla detyrime, që përmes kësaj feste kujtojmë dhe ripërtërijmë, janë mes tjerash; Ndjeshmëria ndaj njerëzve fatkeqë dhe në nevojë; obligimet ndaj të moshuarve, përkujdesjet ndaj të sëmurëve, të braktisurve; mëshira për të vobektit dhe gatishmëria për t'i ndihmuar ata dhe të tjerët të ndjehen njerëz si gjithë njerëzit, etj.

Për të gjitha këto, na duhet shumë punë, që patjetër duhet t'i kryejmë dhe shumë sakrifica, që patjetër duhet t'i vuajmë. Se vetëm ashtu do dëshmojmë para vetes dhe Krijuesit, se jemi njerëz dhe mëshirën e Tij e meritojmë.

Urimet më të sinqerta për një krishtlindje të kthjellët, të begatë, dhe shpresëdhënëse për të gjithë.

nishani

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)