TIRANE- Karriera brenda Forcave të Armatosura ngelet “molla e sherrit” Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe mazhorancës. Pas përplasjeve për ligjin që rregullon këtë sektor, betejë e cila përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, përplasja rikthehet sërish tashmë për gradimet e disa ushtarakëve.

Presidenca njofton përmes faqes zyrtare se kreu i shtetit ka graduar 3 ushtarakë, por Nishani ka pasur në tryezën, 4 propozime nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila kërkon gradimin tyre si gjeneralë. Ministrja Kodheli ka propozuar gradimin e Nazmi Cahanit, Dedë Prengës, Vladimir Avdias dhe Xhevdet Zenelit. Presidenti njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura, ka firmosur gradat e gjeneralit për tre prej tyre, por jo Xhevdet Zenelin. Mësohet se e shkuara e Zenelit i ka kushtuar atij refuzimin e gradimit.