Presidenti, tritoli
dhe ‘trafikantët’ rilindas

Ajo që lidh Presidentin e Republikës, trinitrotoluene (siç njihet rëndom Tritoli) dhe drejtorët e rinj, denoncuar nga PD si të implikuar dhe dënuar për trafiqe, është vetëm SHISH - Shërbimi Informativ Shtetëror. Rastet e atentateve me eksploziv, tritol apo C4, morën menjëherë komentet nga ministri i Brendshëm dhe kryeministri, se SHISH nuk ka qenë në krah të Policisë në luftën kundër krimit, se informacionet e dhëna nga Shërbimi Sekret kanë qenë pa rëndësi. Për këtë pretendim, ende pa u formëzuar mirë si një akuzë e më pas kërkesë zyrtare e kryeministrit për shkarkimin e kreu të SHISH, erdhi përgjigja e Nishanit, që deklaroi se SHISH po bën punë të mirë dhe se nuk do ta shkarkojë Visho Ajazi Likën. SHISH ishte nën syrin kritik edhe për çështjen e muxhahidinëve, por lëvizjet e fundit, të Prokurorisë, Policisë, konkluduan një proces pune të gjatë, nisur nga Shërbimet Sekrete në bashkëpunim edhe me Shërbimet e vendeve aleate. Po ç’lidhje kanë drejtorët e akuzuar nga opozita si trafikantë në gjithë këtë çështje?

Pak ditë më parë, në media u publikua një urdhër i brendëshëm i kreut të SHISH, që kërkonte verifikime dhe hetime për të gjithë drejtuesit e sapoemëruar, veçanërisht në Polici, nëse ata ishin përfshirë në trafiqe, çështje për korrupsion dhe aktivitete kriminale. Asnjë e dhënë nuk ka dalë zyrtarisht nga ky hetim; në vend të zbulimit të ndonjë kryepolici të ri ‘trafikant’, dëgjuam opozitën të godiste saktë disa emerime të personave me probleme me Drejtësinë. Akuzat ishin të sakta në shumicën e rasteve, aq sa detyruan kryeministrin t’i shkarkojë menjëherë të sapoemeruarit. Nën zë, kjo saktësi goditjeje e PD-së u cilësua nga mazhoranca si një punë e mirëfilltë e Shërbimeve Sekrete. Kjo mund të jetë e vërtetë, por me siguri spiunët e SHISH-it nuk do të jenë lodhur shumë për të gjetur fakte, sepse mjafton një kërkim i thjeshtë në internet, me motor kërkimi, dhe çdo çështje të del me detaje për çdo person që vitet e fundit mund të ketë patur halle me Drejtësinë apo është ndaluar nga Policia.

Të njëjtën gjë mund të bënin edhe drejtuesit e mazhorancës aktuale, të cilët kanë edhe koordinatorë për punësimet. Me një kujdes më të madh në përzgjedhje, do kishin zbuluar personat me precedentë penalë. Rama, në një intervistë televizive, pranoi se do të reagojë njësoj, sa herë opozita të denoncojë raste të tilla, të cilat janë të bazuara në fakte.
Pavarësisht kësaj, armiqësia që mazhoranca ka ndaj Shërbimit Informativ është e dukshme. As Rama nuk e prishi traditën e gjithë kryeministrave, që gjithmonë kanë patur probleme me shefat e Shërbimeve Sekrete. Nga mazhoranca thuhet se SHISH punon dhe informon vetëm Berishën, nga opozita dilet në mbrojtje të kreut të Shërbimit Informativ. Presidenti, që akuzohet për njëanshmëri, deklaroi - ende pa patur asnjë lëvizje zyrtare - se nuk do ta shkarkonte kreun e SHISH-it. Kjo ishte përgjigje a priori e tij ndaj pyetjes hipotetike, ndërkohë që Rama deklaron se nuk ka asnjë plan për shkarkim.

Po kush ta të drejtë? Të gjithë nga pak. Ndërsa flitet për çështje të sigurisë kombëtare, SHISH sigurisht nuk është se ka patur rezultate që të eliminojnë të gjitha rreziqet. Arrestimi i disa personave besimtarë që ndjekin rrymat radikale të Islamit nuk është justifikim, sepse është një veprim shumë i vonuar, por edhe i mangët. Në gjithë vendin janë aq të shumtë personat dhe institucionet ku flitet me gjuhën e dhunës dhe ku shumë pak kohë na ndan që të kalohët nga fjalët në vepra. Në një kohë kur tritoli dhe armët janë sheshit dhe zemërimi i këtyre njerëzve është rritur, çfarë mund t’i ndalë ata nga ëndërra për t’u bërë ‘shehid’ edhe në Shqipëri? Ndërkohë që Shqipëria vijon të jetë një vend trafiku i drogave të forta, a mos duhet që përgjegjësia për ta luftuar të jetë vetëm e Policisë?

Në kohën kur tritoli është sheshit, Nishani flet para kohe për kërkesa të paqëna dhe SHISH urdhërohet me shkrim të ndjekë Policinë, janë të gjitha kushtet që gjithshka të ndodhë dhe e keqja, kur vjen, nuk godet vetëm një krah - mazhorancën apo opozitën - e keqja në rrugë i godet të gjithë pa asnjë dallim...

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…

Ardit Rada: Nesti, Aleksi dhe të tjerët…