Presidenti Trump mban fjalim
para udhëheqësve arabë

Presidenti Trump mban fjalim<br />para udhëheqësve arabë
RIAD-Presidenti Donald Trump vazhdoi vizitën e tij në Arabinë Saudite. 70-vjeçari do të marrë pjesë fillimisht në një takim të shteteve të gjirit, nën udhëheqjen e Riadit.

Në ditën e parë Trumpi nënshkroi në Riad marrëveshje ushtarake në vlerë prej më shumë se 350 miliardë dollarë.

"Kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme", tha Trump pas takimit me Mbretin saudit Salman. "Qindra miliarda dollarë investime në SHBA - punë, punë, punë." Një të tretët e volumit të marrëveshjes e përbëjnë mallrat ushtarake për Arabinë Saudite.

Agjencia shtetërore e lajmeve SPA tha se janë nënshkruar 34 marrëveshje. Ndër to edhe ajo për armatime, në vlerë prej gati 110 miliardë dollarë - që është një prej marrëveshjeve më të mëdha në historinë amerikane. Ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson tha në Riad se këtu garantohet "siguria afatgjate e Arabisë Saudite dhe gjithë rajonit".

Presidenti Trump të shtunën ka nisur vizitën e parë në këtë rajon. Pas uljes së Air Force One, Trumpi dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën nga Mbreti Salman personalisht në aeroport. Mbreti 81-vjeçar ka organizuar më pas edhe një takim më të gjatë me Presidentin.

Organizatat e të drejtave të njeriut në SHBA kanë kritikuar Trumpin për marrëveshjet e armatimeve, sepse Arabia Saudite mbështetë kryengritësit në Jemen. Arabia Saudite konsiderohet si vendi i katërt  më i madh (në listën e Institutit Sipri nga Stokholmi), për të dhënat ushtarake, me një volum prej 63,7 miliardë dollarë në vit.

Pika kulmore e ditës është pasdite, kur ai do të flasë para shumë liderëve të vendeve të botës islame. Trumpi këto do të paraqesë vizionet e tij për fenë islame.

Presidenti i SHBA, Donald Trump pritet të kërkojë unitet musliman në luftën kundër terrorizmit, në një fjalim të dielën në Riad, gjatë takimit rajonal që përqendrohet në luftën kundër ekstremizmit.

"Amerika është një vend sovran dhe prioriteti ynë i parë është gjithmonë siguria e qytetarëve tanë. Ne nuk jemi këtu për të ligjëruar - nuk jemi këtu për t'u treguar njerëzve të tjerë se si të jetojnë, çfarë të bëjnë, kush të jetë apo si ta adhurojnë, por ne jemi këtu për të ofruar partneritet - bazuar në interesa dhe vlera të përbashkëta - për të ndjekur një të ardhme më të mirë për të gjithë ne ", thotë presidenti Trump në një pjesë të fjalimit të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

"Sa herë që një terrorist vret një person të pafajshëm, dhe thërret në mënyrë të rreme emrin e Perëndisë, duhet të jetë një fyerje për çdo njeri që beson", - thotë presidenti.

"Terrorizmi është përhapur në të gjithë botën, por rruga drejt paqes fillon pikërisht këtu, në këtë tokë të lashtë, në këtë tokë të shenjtë", shton zoti Trump, duke theksuar se, "Amerika është e gatshme të qëndrojë me ju në ndjekje të interesave të përbashkëta dhe sigurisë së përbashkët . "

Përpara fjalimit, presidenti i SHBA është takuar me Këshillin e Bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Gjirit për për të diskutuar mbi dallimet me Iranin, si të sillen me atë vend dhe si të godasin militantizmin islamik.

Ky fjalim është një kthesë e habitshme për presidentin pas retorikës së tij "Amerika e Para" dhe deklaratave të fushatës që bënin thirrje për një "ndalim musliman" të mbështetur nga urdhrat e mëvonshëm që u përpoqën të kufizonin udhëtimin në gjashtë vende me shumicë myslimane.

Arabia Saudite është një destinacion i pashembullt për një vizitë fillestare jashtë shtetit nga çdo president amerikan, por vendi i pasur me naftë, që ka lidhje të thella në energji dhe mbrojtje ushtarake me Shtetet e Bashkuara, nuk u vendos në ndalimet e udhëtimit.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024