Një pseudokryetar të Grupit Parlamentar të PD dhe “gur” të lojës së Ramës për sa i përket çështjes së presidentit e ka cilësuar Enkelejd Alibejan, deputeti i PD Luan Baçi. Sipas tij mënyra sesi mazhoranca ka ftuar për bisedime opozitën është fals dhe hipokrite dhe kurrsesi mes dy palëve nuk ka pasur negociata.
“Nuk ka pasur negociata, thjesht kanë qenë biseda të një deputeti të PD, që do ta quaj veten kryetar partie dhe ta bëjë farsë zgjedhjen konsensual. Rama e ka presidentin, e gjithë kjo një lojë e tij. Alibeaj me at 2-3 deputet që e mbështesin është i ndërgjegjshëm për lojën, bën lojë hipokrite në emër të PD. Alibeaj i mbledh deputetet duke i thënë se do flasin për një gjë dhe diskutojnë diçka tjetër. Nuk kemi bërë bojkot, PD s’ka bërë bojkot. Mënyra sesi mazhoranca fton opozitën është flas, është e stisur dhe e paramenduar për të vënë në lojë opozitën. Alibeaj duhet të thërras të gjithë grupin për të rënë në një kompromis me të gjithë opozitën për t’i paraqitur kandidaturat. Nëse do të donin një zgjedhje konsensuale, do t’i linte të vendosnin disa emra dhe më pas të shkonin në Kuvend.”, u shpreh ai.
Baçi i ftuar në “Pa Protokoll” me gazetaren Anduela Ndreu, pranoi se PD është e përçarë, por nga ana tjetër është shkundur dhe është zgjuar nga gjumi.
“Jemi të përçarë, PD është në një situatë jo normale, por është shumë herë më mirë sesa para disa muajsh. PD është shkundur nga përgjumja ky proces zgjedhor. PD nuk është Grupi Parlamentar. Grupi Parlamentar është i PD, por PD jo e Grupit Parlamentar. Ata përfaqësojnë PD, por nuk marrin vendimet. “, tha ai.
Lidhur me çështjen në të cilën është në gjykatë PD, deputeti tha se vetëm vota e demokratëve mund të përcaktojë drejtuesin e partisë. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe për deklaratën e deputeti të CDU-së në rast se Berisha do të bëhet kryetar i PD.
“Nuk na shqetëson vendimi i gjykatës. PD zgjedhjet i bën vetë, vendimet janë politike. Nuk i vendos gjykata drejtuesit, por anëtarët ata që votojnë. Ky ishte vetëm një mendim i një deputeti të CDU-së. Askush nuk e ka të drejtën për t’iu imponuar një partie politike për zgjedhjen e vetë. “, tha ai.
Kujtojmë se zgjedhjet për kreun e PD do të mbahen më 22 maj. Përballë Berishës në garë është Ibsen Elezi.