Tensionet në veri të Kosovës, Begaj: Serbët po keqpërdoren, dhuna ndaj KFOR e papranueshme! Presidentja e Hungarisë: Palët të gjejnë rrugën drejt paqes

Presidentja e Hungarisë Katalin Novak zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ndërsa u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj. Ulja e tensioneve në veri të Kosovës ishte kryefjalë e mesazhit të tyre, pas takimit kokë më kokë, duke kërkuar që Kosova e Serbia të gjejnë rrugën e çtensionimit të situatës atje.

 “Në këtë moment nevojitet një çtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje.”, tha Begaj. 

“Ndërmjet dialogut mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Në Kosovë shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe palët të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjatë", tha Novak.

Dhunën e protestuesve serbë në veri të Kosovës, kreu i shtetit e quajti të papranueshme.

“Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës, dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme.”

Pas takimit dhe konferencës me Presidentin Begaj, Novak mbajti një fjalë përshëndetëse edhe në Parlamentin e Shqipërisë.

“Ne vend të luftërave, kemi nevojë për armëpushim, rrugë drejt paqes, sepse çdo luftë ka vetëm humbës. Të gjithë shohinj Ukrainën po ne harrojmë sa e rëndësishme është të shohim Ballkanin Perëndimor, Kosovën, sa pak duhet të nxisim konflikt e të shkojë në luftë, ndaj është shumë e rëndësishme të ruajmë stabilitetin. Jam e bindur që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Europian, kemi nevojë sa më shpejt për këtë integrim prandaj ne mbështesim futjen e Shqipërisë në BE.

Në mungesë të kryeparlamentares Lindita Nikolla, seanca e posaçëm në parlament u drejtua nga zv.kryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Presidentja e Hungarisë flet në Kuvend: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në union, BE ka nevojë për ju

 

Kuvendi i Shqipërisë, zhvilloi sot një seancë të posaçme, ku mori pjesë presidentja e Hungarisë Katalin Novak. Në fjalën e saj përshëndetëse, Novak shprehu mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo tha se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishëm, pasi ato kanë rol në ruajtjen e sigurisë edhe të BE-së. Novak tha se jo vetëm Shqipëria ka nevojë për BE, por edhe BE për Shqipërinë.

Ajo u ndal sërish edhe tek situata në Kosovë, për të cilën thotë se është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje për të ulur tensionet mes palëve. Novak u shpreh se është e rëndësishme që Ballkani të ketë stabilitet. Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, presidentja hungareze tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ulen në tavolinën e diskutimeve.

“Ndihem e nderuar që si presidente e kombit mund të jem në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Jo vetëm si grua mund të jem për herë të parë në pozitën e presidentes, po jam edhe si nëna  e tre fëmijëve. Për mua ky është profesioni që është më i rëndësishme në jetën time. I jam mirënjohës zotit që kam pasur mundësinë të sjell tre jetë. E rëndësishme Shqipëria, kemi një marrëdhënie historike të gjatë miqësore, jo vetëm liderët e dy kombeve, por edhe shqiptarët dhe hungarezët e mbështesin njëri tjetrin. Në Hungari mund të punoja 8 vjet për familjet hungareze, kjo është një fushë që edhe si presidente dua të punoj shumë. Kam qenë deputet në parlamentin e Hungarisë, prandaj mund të kuptoj bukurinë e punës tuaj, s’ka punë më të mirë se të jesh përfaqësues i votuesve.

Kam ardhur në Shqipëri në një kohë kritike. Europa po përballet me vështirësi. Në radhë të parë, lufta në Ukrainë dhe pasojat, Ballkani dhe stabiliteti, rritja e vazhdueshme e presionit të emigrimit ilegal dhe sfidat demografike që do përballemi më fort se ndonjëherë në histori, së pesti fuqia politike botërore e europës është në pikëpyetje. Çdo luftë ka vetëm humbës, zgjidhja është vetëm më paqe. Të gjendet zgjidhja për armëpushim. Lufta shkakton shumë humbje jetës, përveç kësaj shohim inflacion, rritje të energjisë, pasojat ekonomike, frikën në sytë e njerëzve të Europës. Çdo njeri ka frikë se kjo luftë shkon deri në kobin e saj. E rëndësishme të gjejmë rrugën drejt paqes dhe palët të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë.

Harrojmë sa e rëndësishme është që Ballkani të ketë paqe dhe siguri. Të shohim vetëm Kosovën dhe Bosnjën, shohim a e vështirë është situata, sa pak duhet për të rritur tensionin dhe të kalojë në nivel lufte. Në Kosovë kemi ushtarë hungarezë gjithashtu, mbi 400 ushtarë, nga ata 20 janë lënduar gjatë këtyre sulmeve të fundit, janë në spital.

Integrimi europian do na çojë drejt paqes stabilitetit në të gjithë Europën, paqja dhe siguria e Europës varet nga Ballkani. Kemi nevojë sa më shpejt për integrimin. Prandaj mbështesim integrimin e Shqipërisë dhe i japim ndihmë. Duam që ju, shqiptarët të iu përshëndesim si qytetar të BE. Jo vetëm ju keni nevojë për BE, por edhe ne dhe kombet e BE kanë nevojë për ju brenda BE”, tha Novak.

Ora 12:04
Tensionet në veri të Kosovës, Begaj: Dhuna e serbëve ndaj KFOR e pajustifikueshme, nevojitet çtensionim i situatës

 

Presidenti Bajram Begaj komenton zhvillimet në veri të Kosovës. Begaj tha se dhuna e serbëve ndaj forcave të KFOR është e pajustifikueshme. Ai tha se është e nevojshme të ketë një çtensionim të situatës.

Ngjarje të tilla nuk janë në shërbim të askujt, nuk i bëjnë mirë asnjërit. Pengojnë proceset integruese të rajonit në BE. Për në misioni i NATO në Kosovë është një histori suksesi prej 20 vitesh. Ky mision e ka kryer detyrën e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës, dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër. Në këtë moment nevojitet një çtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje.

Ora 11:49
Presidentja e Hungarisë në Tiranë: Kosova dhe Serbia të gjejnë rrugën e paqes

 

Nga Tirana, në konferencën për shtyp të zhvilluar me Begajn, presidentja e Hungarisë, Katalin Novak i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të gjejnë rrugën e paqes.

"Ju përshëndes përzemërsisht. Në radhë të parë dua të falënderoj për mikpritjen. Jam i lumtur që jemi në Tiranë, është i rëndësishëm ky takim për mua në Shqipëri. Gjatë këtij viti jam përpjekur të jem aktive në mënyrë diplomatike. Ballkani është shumë i rëndësishëm se është peng i sigurisë së Europës. Paqja në Ballkan është e rëndësishme për sigurinë e BE. Do i mbështesim në integrimin në BE. Dua të theksoj 5 tema që folëm, integrimi euroatlantik, luftën në Ukraine, bashkëpunimin ekonomik, emigimin ilegal dhe demografinë. Në radhë të parë, në lidhje me Ballkanin, më e rëndësishëm është stabiliteti. Gjatë kësaj kohe Ballkani Perëndimor është një rajon ku shumë shpejt mund të përshkallëzohet situata si në Bosnje, si një Kosovë. Bashkë me Begaj jemi interesuar në depërshkallëzim dhe kemi parasysh paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe rajonit. Përpiqemi që ndërmjet dialogut të mbështesim paqen dhe integrimin e vendeve të rajonit. Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Kanë qenë guximtarë, shpresojmë të mos ketë më një situatë të tillë, të qetësohet sa më shpejt dhe të gjejnë rrugën drejt një paqeje afatgjatë", tha ajo.

Ora 11:46
Begaj pret homologen nga Hungaria: Mirënjohje për mbështetjen që i keni dhënë Shqipërisë në rrugëtimin europian

 

Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot homologen nga Hungaria. Në konferencën për shtyp, Begaj tha se i ka shprehur mirënjohjen Novak për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit.  

Bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit në BE i Shqipërisë dhe BP, zhvillimet aktuale në rajon, në qendër të bisedës. I shpreha keqardhjen Presidentes Novak, për ushtarët hungarezë të lënduar në Veri të Kosovës. Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik. Faleminderit Hungarisë që inicioi shpalljen nga OKB të 5 shtatorit si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë në nderim të shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë. Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë.

Vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri. Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mundësitë janë shumë të mëdha.

Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Vlerësova kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it. Për ne ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE. Vlerësuam dhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Hungaria  mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

SI.E./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan