LUSHNJE - Është e njohur dukuria e politizimit të shkollave, por emisioni Fiks Fare ka arritur ta konkretizojë, duke regjistruar një bisedë me drejtorin e një shkolle në një fshat në Lushnje, i cili pranon se "po ndihmojnë maturantët në këmbim të votave pro Partisë Demokratike".
 
Drejtori i shkollës së mesme në Bubullimë thotë se, ka organizuar një takim të maturantëve me kandidatët për deputetë në qark dhe tani do ndihmojë ata maturantë që ishin pro PD-së.
 
Fiksi: Si është situata në prefekturë? Pra si është situata me mësuesit?
 
Drejtori: Për momentin themi se e kemi mirë. Mbrëmë isha në një takim me të rinjtë. Mendoj se shkoi mirë. Problemi i Imshtës dihet, ia kam përcjellë edhe Sokolit… Imshta do rrugën. Bëra dje bisedime me Mesilën. Më thanë OK. Do fillojë. Më dobët mendoj se është Pirra. Por, mendoj se duke hyrë kryetari, ai shefi nga Pirra, do e kemi.
 
Fiksi: Për sa i përket arsimit, mësuesve, ua keni dhënë listën?
 
Drejtori: Për momentin nuk e kemi shpërndarë. Sapo u ktheva nga një seminar për provimet e maturës. Në bashkëpunim me drejtorin do t’ua shpërndajmë shpejt atyre. Por e morën informacionin. Tani unë mendoj se përderisa janë bërë investime për Bubullimën, ne mendojmë se situatën e kemi në dorë. Të shikojmë. Shkolla, rruga, tregu... Mendoj se situatën mirë e kemi, po të shikojmë. S’e di! Do vemi pastaj. Ndërhyrje ka… Kemi nja 50–60 maturantë që votojnë. U bëra një ditë atje një takim me Mesilën, me Florin. Me të mendoj se doli mirë. Të premten kemi provimin. Mos i ndihmojmë një çikë. Meqë e kemi në dorë situatën, aq duan ata. Dy provimet e para, ne themi të japim maksimumin, t’i ndihmojmë. Dy lëndë provime janë para zgjedhjeve. Provimet me zgjedhje pastaj janë pas zgjedhjeve. Kështu kemi folur edhe me shefen, me Irmën. Futim brenda mësuesit e letërsisë, matematikës. Nesër kemi edhe takimin me mësuesit. U kemi caktuar 10 familje.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)