Presioni i SHBA, Yee takon 
​kundërshtarët e Bashës në PD

Presioni i SHBA, Yee takon <br />​kundërshtarët e Bashës në PD
Kupola drejtuese e Partisë Demokratike është para një dileme historike. Dy ditë pas shpalljes së Republikës së Re, të cilën një pjesë e grupit parlamentar demokrat e konsideron si imagjinare, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, janë nën presionin e madh amerikan për lënë rrugën e bojkotit të zgjedhjeve, e daljes nga skena politike dhe të izolimit ndërkombëtar.

Atyre u është lënë disa orë kohë për të rivlerësuar marrëveshjen e ofruar nga përfaqësuesit e Partive Popullore Evropiane. Por, krahas afatit kohor dhe mesazheve të drejtpërdrejta, amerikanët po ushtrojnë presion edhe në forma të tjera.

Në këtë kuadër, Zv/ndihmës Sekretarit Amerikan i Shtetit, Hoy Brian Yee, kërkoi një takim me grupin 'rebel' të Partisë Demokratike, të cilët janë pozicionuar kundër linjës së bojkotit dhe Republikës së Re. Nga katër deputetët kritikë, Astrit Patozi ka refuzuar ftesën për arsye personale, ndërsa Eduard Selami ndodhej jashtë vendit. Por Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u takua pasditen e djeshme me Jozefina Topallin dhe më pas me Majlinda Bregun. Takimet janë zhvilluar në Ambasadën e SHBA.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët nëse këto takime tregonin se Shtetet e Bashkuara po kërkonin një zë alternativ brenda Partisë Demokratike, Yee iu përgjigj në mënyrë pohuese. Po ashtu, Zv/ndihmës Sekretarit Amerikan i Shtetit, Hoy Brian Yee, ka preferuar që në takimin me Lulzim Bashën, të ishin të pranishëm edhe krerët e partive aleate të PD, për të bërë të qartë qëndrimin amerikan kundër vendimit për bojkotin e zgjedhjeve.

Patozi kundër bojkotit
Deputeti i PD, Astrit Patozi, një ndër zërat kundër linjës së bojkotit të zgjedhjeve, nuk u takua dej me zyrtarin e lartë të DASH, Brian Yee. Megjithatë, deputeti Patozi, në rrjetin social Facebook, është shprehur kundër bojkotit të zgjedhjeve nga Partia Demokratike. “Ndonëse nuk i përkas racës së optimistëve futuristë, të cilët besojnë çdo përrallë që u shfaqet përpara, ende kam një shpresë të vakët se mund të gjendet prapëseprapë një shteg për të evituar dështimin e zgjedhjeve. Sepse i qëndroj fort bindjes sime se mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në to është skenari më i keq i kësaj krize të pashembullt dhe të paprecedent”, shkruan Patozi.

Për takimin
Deputeti i PD Astrit Patozi tha se mundi të takonte zyrtarin e lartë amerikan për një arsye të fortë personale. “E kam shprehur në mënyrën e duhur falënderimin dhe vlerësimin tim, jo vetëm ndaj ftesës për t’u takuar me z. Yee, por mbi të gjitha ndaj përpjekjes së tij dhe të administratës amerikane për t’i dhënë një zgjidhje in extremis krizës se pakuptimtë politike në Tiranë. Për një arsye të fortë personale nuk do të jem i pranishëm në takim, por vijoj të inkurajoj çdo faktor politik ndërkombëtar dhe vendas, që mund t’i shërbejë ende kauzës së zgjedhjeve normale në Shqipëri. Se nuk ma nxë goja ta them atë termin “të lira e të ndershme”, që më duket si versioni surrealist i ëndrrës shqiptare për demokraci perëndimore, kaq i largët me katandisjen tonë sot”, tha Patozi.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi