TIRANE - Gjatë gjithë ditës së djeshme, asnjë prej drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike nuk ka arritur në selinë e kësaj partie, duke e lënë të heshtur atë, të veshur me “vellon” e humbjes së 23 qershorit. Mësohet se që nga momenti i votimit në selinë e PD të deputetëve, anëtarëve të kryesisë e të Këshillit Kombëtar, asnjë anëtar aktual në detyrë të sekretariatit dhe nënkryetarët, por as ata që pretendojnë për të zënë vendet e tyre s’kanë mbërritur në seli.

Burimet thonë se nuk ka ndodhur vetëm tani, por ka tetë vite, që kur PD erdhi në pushtet më 2005, zyrat e partisë u boshatisën, pasi zyrtarët e lartë të saj morën poste ministrore. Dhe duke qënë se ishin neveritur për tetë vite me radhë në opozitë në këto zyra që kanë shërbyer si pikënisje për protestat nëpër rrugë, as që donin t’ia dinin çfarë ndodhte aty.

Zyrat e partisë u zhvendosën ngadalë në kafenetë e kullave përballë kryeministrisë, që për tetë vite me radhë kanë shërbyer në një farë mënyrë si zyra pune për ofiçarët e lartë të PD në qeverisjen e vendit. Ndërkohë që në selinë e PD nuk janë parë as pretendenti për të qënë sekretar i përgjithshëm i PD, Genc Pollo. Thjeshtë për të parë zyrën e Bodes.

Ndërsa, as Arben Imami që pretendon postin e nënkryetarit të PD dhe të kreut të grupit nuk është dukur për të parë zyrën që ka Patozi në këtë seli. Kështu dhe Bregu, apo pretendetët e tjerë që mendohet në këto poste. I vetmi në lokalet afër selisë së PD ishte ish-kreu i kësaj partie Eduard Selami, i cili tashmë ka një zyrë në këtë parti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)