Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu theksoi se Identiteti Dixhital do përdoret kudo ku ndodhet qytetari, dhe do të ndryshojë mënyrën se si ndërveprojmë me shtetin, bankën apo biznesin. Sipas ministres, ky mjet do të shmangë burokracitë dhe do të ofrojë më shumë besim dhe me efikasitet.
"Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, kudo që është, nga Tirana, deri në skajin më të largët. Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentat personale: karta e identitetit, leja e drejtimit të automjetit, diploma - gati pë ti përdorur kudo, në çdo vend të Europës. Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment. Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: “Ky jam unë.” Në sekonda. Pa letra. Pa radhë. Pa vonesa. Në bankë, te noteri, në zyrat publike, me disa klikime, pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë. Për shtetin, kjo do të thotë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë. Për biznesin, do të thotë më shumë besim, më shumë efikasitet. Identiteti digjital lidhet me biometrinë, me njohjen e fytyrës, me gjurmët e gishtave, me nënshkrimin elektronik.", tha ajo.
Deri në vitin 2027, theksoi ministrja, Identiteti Digjital do të jetë pjesë e Portofolit Europian të Identitetit Digjital.
"Një realitet që do t’u lejojë qytetarëve të përdorin dokumentet e tyre në çdo vend të Europës. Vendet si Italia, Gjermania, Franca dhe shumica e shteteve të BE-së po ecin në të njëjtën rrugë. Sipas Komisionit Europian, deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve europianë do të kenë një identitet dixhital funksional. Dhe përfitimet e pritshme, janë një impakt prej deri 13% rritje e PBB në një periudhë afatmesme, reduktim i kostove administrative me 30-50%, si dhe reduktim i rasteve të mashtrimit apo vjedhjes së të dhënave online me 80%. ", shtoi ajo.
Lajmi kryesor:
Prezantohet 'Identiteti Dixhital', Rama: Aplikimi nis në fillim të 2026-ës, jemi një vit para BE-së! Kalojmë nga para cash në transaksione dixhitale








