Pas seancës së sotme dëgjimore në Komisionin e Medias me kandidatët për kryetar të AMA, do të votohet të enjten në seancën plenare.
Sala: Do mbështesim punën në zbatimin e ligjit për autoritetin e mediave
I pari në mbledhjen e sotme të komisionit ka raportuar kandidati Gentian Sala, i cili tha se puna e tij do të mbështetet në 4 kolona: ligji për autoritetin e mediave, qartësia në zbatimin e strategjisë, zbatimi i ligjit në këtë fushë, si dhe niveli i kualifikimit të stafit të AMA-s.
Kandidati Sala ndërkaq, tha se ka eksperiencë në fushën e jurisprudencës dhe të biznesit.
“Do verifikojmë dhe kërkojmë zbatimin e plotë të kontratave të gazetarëve. Liria e medias nuk është çështje abstrakte. Një nga problemet kryesore është radio televizioni publik. Ku ka shumë ankesa nga qytetarët”, tha Sala.
Ndërsa kreu i Komisionit të Medias Alfred Peza ngriti problemin e piraterisë dhe mosrespektimit të së drejtës së pronës intelektuale, kandidati Gentian Sala tha se problemi në këtë çështje mbetet tek institucioni monitorues, dhe jo te operatorët.
Gentian Skënderaj: Mosfunksionimi i AMA-s ka ndikuar në tregun mediatik
Kandidati i dytë Gentian Skenderaj në raportimin e tij është ndalur tek mënyra e funksionit të AMA-s. Sipas Skenderajt “Mosfunksionimi i AMA-s ka ndikuar në tregun mediatik”.
Kandidati Skënderaj tha se “Kalimi nga analog në numerik duhet të kryhet sa më shpejt sipas afateve. Nuk do të tolerojmë fenomenin e piraterisë. Do ndalojmë transmetimet pirate veçanërisht për kabllorë".
Anila Basha: Luftë pa kompromis kundër piraterisë
Kandidatja Anila Basha gjatë raportimit të saj ka vënë theksin në luftën ndaj piraterisë, ndërsa u shpreh se nëse ajo do të zgjidhet në krye të AMA-s do të ngrihet Këshilli i Ankesave pranë këtij institucioni. Basha tha se do të zhvillohen edhe projekte konkrete për investime në teknologji.
Duke vënë theksin tek transparenca, Basha tha se mbledhjet e këshillit të AMA do të jenë të hapura, ndërsa do të ndërtohet një sistem transparent në përdorimin e të ardhurave financiare të institucionit.
Bers Hodo: AMA në situatë emergjente, duhet të kthehet brenda kuadrit ligjor
Ndërsa kandidati Bers Hodo ka paraqitur i fundit platformën e tij për Autoritetin e Medias Audio-Vizive. Duke u ndaluar tek situata aktuale në AMA, Hodo tha se gjendja është emergjente dhe institucioni duhet të kthehet brenda kuadrit ligjor.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)