TIRANË- Është prezantuar sot në Ministrinë e Drejtësisë, Grupi i Punës me Ekspertë për Reformën në Fushën e Drejtësisë (Komisioni Këshillimor i Reformës Ligjore). Komisioni i Reformës Ligjore përbëhet nga 14 anëtarë të emëruar nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, për një periudhë 2 vjeçare, me të drejtë riemërimi.

Lista e anëtarëve të Grupit Këshillimor të Ministrit të Drejtësisë, Z. Nasip Naço përbëhet nga Gent Ibrahimi (Kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë), Artan Hoxha (Zv/kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë), Luan Omari, Aurela Anastasi, Arben Rakipi, Artan Hajdari, Bashkim Caka, Dashamir Kore, Ardian Nuni, Denar Biba, Kasem Berberi, Ilir Panda, Maksim Qoku, Albana Shtylla.
Ka mes tyre juristë me përvojë, veprimtarë aktivë dhe të njohur në fushën e mësimdhënies dhe ushtrimit të funksioneve e veprimtarive profesionale dhe juristë me aftësi të spikatur, “veçanërisht ndërmjet atyre të arsimuar ose me përvojë në ushtrimin e profesionit jashtë vendit, apo si ekspertë pranë institucioneve të huaja që veprojnë në Shqipëri”.

“Ky mekanizëm i ri  do të synojë t'i ofrojë ekzekutivit dhe Ministrisë së Drejtësisë kontribute sistematike dhe thellësisht profesionale për identifikimin dhe ndjekjen e ecurisë së reformës legjislative dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.
Komisioni për Reformën Ligjore “do të jetë një bërthamë profesionale, për debatimin dhe dhënien e konsulencës në hartimin e programeve dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata të reformës së drejtësisë, dhe të legjislacionit, si dhe për vlerësimin e projektakteve të rëndësishme normative”.

 “Për zhvillimin e një debati profesional sa më të specializuar dhe për përgatitjen apo dhënien e mendimeve sipas fushave të së drejtës, krahas mbledhjeve të përgjithshme të Komisionit, do të ketë edhe një ndarje të veprimtarive në 4 nëngrupe pune (nënkomisione)”, sipas kategorive vijuese të fushave të së drejtës: organizimi gjyqësor dhe profesionet juridike; e drejta publike; e drejta penale; e drejta civile dhe tregtare.

Grupi i Punës me Ekspertë për Reformën në Fushën e Drejtësisë (Komisioni Këshillimor i Reformës Ligjore) është një element i rëndësishëm i reformës ligjore dhe institucionale, krijimi dhe funksionimi i të cilit është i organizuar në disa nëngrupe pune sipas fushave kryesore të së drejtës.
 
LISTA E ANETAREVE TE GRUPIT KESHILLIMOR
1. Gent Ibrahimi (Kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë)
2. Artan Hoxha   (Zv/kryetari i zgjedhur gjatë mbledhjes së parë)
3. Luan Omari
4. Aurela Anastasi
5. Arben Rakipi
6. Artan Hajdari
7. Bashkim Caka
8. Dashamir Kore
9. Ardian Nuni
10. Denar Biba
11. Kasem Berberi
12. Ilir Panda
13. Maksim Qoku
14. Albana Shtylla
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)