Prezantohet kurikula e re për klasën
e 10, Nikolla: Zbatohet në shtato

Prezantohet kurikula e re për klasën<br />e 10, Nikolla: Zbatohet në shtato
Ministria e Arsimit ka prezantuar sot kurikulën e re për klasat e 10-ta, në arsimin e mesëm të lartë,kurikul që pritet që të nisë zbatimin e saj në muajin shtator, atëherë kur nis edhe viti i ri shkollor 2016-2017.
 
Ministrja Lindita Nikolla, tha se reforma e re kurrikulare adreson në formë të plotë dhe të qartë gjithë problematikat e shprehura nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, që lidhen me mbingarkesën në gjimnaz, numrin e madh të lëndëve me zgjedhje, etj.

Kryefjala e të gjithë asaj që mësuesit, nxënësit dhe prindërit kanë përcjellë në sondazhin e realizuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale ka qenë se gjimnazi është i mbingarkuar. Gjithashtu ka një disporpocion jo efikas në kurrikulat me zgjedhje, nxënësi nuk i zgjedh vetë lëndët me zgjedhje kur hyn në vit të parë por i zgjedh mësuesi, vështirësia që ka një nxënës për të lëvizur nga një shkollë në një tjetër, etj”, tha ministrja Nikolla.

Në studimin e bërë nga IZHA mbi kurrikulën aktuale të gjimnazit, në të cilin u përfshinë 533 mësues, 569 nxënës dhe 569 prindër të përzgjedhur nga gjimnazet e 13-të DAR-ve në të gjithë vendin, rezultoi se rreth 58% e mësuesve dhe 70% e nxënësve e vlerësojnë shumë të ngarkuar planin mësimor të gjimnazit.
Kurrikula aktuale e gjimnazit ka një numër shumë të madh lëndësh (18 lëndë), krahasuar me kurrikulat e vendeve të tjera evropiane (10-12 lëndë), gjë që sjell mbingarkesë te nxënësit.

Sa u përket lëndëve me zgjedhje ministrja Nikolla tha se pesha që zë kurrikula me zgjedhje në planin mësimor aktual të gjimnazit është e ulët referuar standardit evropian. Kjo peshë, që në planin aktual shkon rreth 17%, ndërkohë që mesatarja në nivel evropian është rreth 30%, kufizon përmbushjen e interesave individuale të nxënësve për kurrikulën shkollore dhe karrierën e tyre.

Kjo reformë kurrikulare do të mundësojë që tekstet e reja bashkëkohore të standardeve më të mira të jenë pjesë e gjimnazit dhe ne të mundësojmë angazhimin e marrë, që brenda tre viteve, në gjithë sistemin parauniversitar, të fusim kurrikulën e re dhe tekstet e reja”, deklaroi Nikolla.

Ministrja shtoi se me shumë rëndësi është edhe kualifikimi i mësuesve, ndaj do të ketë një program të detajuar ndihme për të trajnuar të gjithë mësuesit e klasave të dhjeta, për të implementuar më pas tekstet e reja, planet e reja mësimore, kurrikulën e re.

Shumë i rëndësishëm është edhe trajnimi i drejtuesve të drejtorive arsimore dhe i drejtuesve të shkollave, me një program specifik pune, për të evidentuar gjithë problematikën që lidhet me burimet njerëzore, ne mënyrë që të mos kemi asnjë mësues që mund të rrezikohet për shkak të kësaj situate të re, për sa u përket orëve mësimore që ata zhvillojnë”, tha Nikolla.

Gjatë prezantimit të reformës kurrikulare, Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi renditi risitë e saj, duke theksuar se kurrikula e gjimnazit do të jetë një kurrikul e përmirësuar, e lehtësuar e cila bën lidhjen mes reformës së arsimit parauniversitar dhe atij të lartë.

Në klasën e 10-të dhe të 11-të nxënësit do të kenë një numër lëndësh të caktuara, ndërsa në klasën e 12-të do të kenë pesë lëndë të detyrueshme dhe lëndët e tjera do t’i zgjedhin sipas kritereve që universiteti përcakton për të vazhduar studimet. Nga 18-të lëndë të detyrueshme, me kurrikulën e re janë 12-të lëndë të detyrueshme në klasën e 10-të dhe 11-të dhe vetëm 5 lëndë të detyrueshme në klasën e 12-të  si, gjuha, letërsia, matematika, gjuha e huaj, sporti”, tha Janaqi.

Rishikimi i kurrikulës së gjimnazit synon modernizimin e saj sipas parimeve të përbashkëta të vendeve të zhvilluara si dhe një përafrim të përshkallëzuar me vendet që kanë arritje të shquara arsimore, mbështetur në kontekstin, traditën dhe përvojën tonë pozitive arsimore.

Disa nga risitë e kurrikulës së re janë:
Ndarja e gjuhës shqipe nga letërsia
Rikthimi i traditës së filozofisë në kurrikulën bazë
Zvogëlohet mundësia e zgjedhjes në dy vitet e para të gjimnazit
Shtohet numri i orëve me zgjedhje në klasën e 12-të (mbi dhjetë orë)
Hiqet sistemi i koeficientëve për lëndët me zgjedhje
Zgjidhet më mirë raportin mes kurrikulës bërthamë dhe asaj të avancuar
Programet kurrikulare të gjimnazit mundësojnë që të shkruhen tekste shkollore më pak të ngarkuara
Modulet kurrikulare plotësojnë nevojën e nxënësve në drejtim të çështjeve prioritare të shoqërisë së shekullit XXI

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet