Prezantohet nisma: Së shpejti
Shqipëria në bursën e energjisë

Prezantohet nisma: Së shpejti<br />Shqipëria në bursën e energjisë
TIRANE- Shqipëria po hedh hapa konkretë në krijimin e bursës së energjisë, duke u bërë kështu vendi i parë në rajon që ndërmerr këtë nismë. Lajmi u bë publik nga Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, i cili në një dalje të përbashkët për shtyp me Ambasadorin e Norvegjisë, theksoi se është pikërisht ky shtet që po asiston shqipërinë në këtë nismë. Pas miratimit të Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, Shqipëria po ndërmerr hapat konkrete për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në funksion të këtij procesi, shumë shpejt do të realizohet dhe ndërhyrja ligjore për krijimin e modelit të ri të tregut. Pjesë e tregut të energjisë, që synon në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, do të jetë edhe bursa e energjisë. “Shumë shpejt ne do të kemi skeletin e nevojshëm se si do të funksionojë tregu i energjisë në Shqipëri dhe pse jo ajo që quhet bursa energjetike për tu shtrirë deri aty sa të kemi mundësi që energjinë ta tregtojmë brenda ditës siç e bëjnë shumë vende europiane”, tha Gjiknuri.

Bursa
Pjesë e tregut të energjisë, që synon në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, do të jetë edhe bursa e energjisë. Ajo do të jetë mekanizmi që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë. Suksesi i kësaj burse do të varet edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të. Ministri Gjiknuri  tha se Shqipëria po bën hapat e saj drejt liberalizmit të tregut. “Ju e dini tashmë që Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut. 

Gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Vizioni
Ambasadori norvegjez Jan Braathu shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë së tij, Shqipëria do të arrijë objektivin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe për krijimin e bursës. “Kemi një vizion përtej saj, është një vizion që e ndajmë me qeverinë tuaj dhe me qeveritë e vendeve përtej Shqipërisë, si me Kosovën përshembull, për një treg rajonal energjie.

Ky është hapi i parë, është hapi i rëndësishëm dhe nëqoftëse ne ecim në linjën e duhur atëherë do ta shikojmë këtë zhvillim edhe më tej. Ne do të përforcojmë dhe do të konsolidojmë pozicionin e Shqipërisë në Europën jugore”, u shpreh ambasadori. Në këtë kontekst, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri. Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, sa cilësor është shërbimi në spitale shtetërore?



×

Lajmi i fundit

Shkodër, digjen 4 banesa në lagjen 'Skënderbeg', flakët nisën në një shtëpi 2-katëshe 

Shkodër, digjen 4 banesa në lagjen 'Skënderbeg', flakët nisën në një shtëpi 2-katëshe