TIRANË- Korrupsioni në Shqipëri po luftohet, ndërsa sistemet janë bërë më të sofistikuara dhe në përputhje me ato të BE-së. Përfundimi është i raportit të fundit të GRECO në Këshillin e Evropës, që ka vlerësuar pozitivisht progresin e bërë nga Shqipëria në luftën e bërë kundër korrupsionit si dhe ka plotësuar rekomandimet që i janë dhënë.
“Sistemet në Shqipëri janë në përputhje me ato të BE për të luftuar korrupsionit. Korrupsioni nuk është çështje kombësie, por mund ta ndalojmë përmes sistemeve. Shqipëria i ka plotësuar masat për të ndaluar korrupsionit në dy pjesë të administratës publike. Kur ka vullnet politik për ti bërë reformat ato ndodhin”, tha Gianluca Esposito, Drejtor i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit të Këshillit të Evropës.
‘Betejë të fituar’ e quan kryeministri Edi Rama luftën me këtë të keqe që siç ai thotë deri në 2013 kishte hyrë në çdo qelizë të vendit.

“Kemi fituar me korrupsionin. Është një tjetër kala që marrin. Se kur morëm detyrën ishim keq në të katër anët. Nga vendi më i korruptuar në Evropë sot është një nga 8 shtetet me progresin më të madh në dekadën e fundit”, tha Rama.
Teksa liston vlerësimet pozitive të organizmave ndërkombëtar nga Sigma tek Transparency Internacional për betejën me korrupsionin, Rama një përgjigje e kishte edhe për opozitën dhe mediat pranë saj që shkruan ditët e fundit për shtyrje të negociatave me BE.
“Jemi të motivuar për tu bërë anëtarë të BE brenda 2030. Do vazhdojmë me hapjen e kapitujve ndryshe nga sa është thënë ditët e fundit ndryshe nga sa është thënë nga këneta”, tha Rama.
Një ‘dallgë tjetër reformash’ po ‘gatuhet’ shprehet kreu i qeverisë përpara ndërkombëtarëve, nga mirëqeverisja tek reforma antikorrupsion e deri tek drejtësia. Rama foli edhe për drejtësinë, ku tha se marrja në pyetje në prokurori bëhet si në epokën e gurit, për të cilën tha se duhet korrigjuar me urgjencë.
“Në drejtësi jemi ende në epokën e gurit, zhvillojmë intervista pa audio dhe video. Intervistat në Prokurori deri tek ajo speciale bëhen si në kohën e gurit, unë të pyes ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua. Do ta korrigjojmë me urgjencë, duke vazhduar ta mbështesim fuqimisht drejtësinë”, tha Rama.
GRECO është një strukturë me një grup shtetesh të Këshillit të Evropës që ndihmon shtetet të forcojnë sistemet për të luftuar korrupsionin. Ky ishte raporti i pestë për Shqipërinë, që prej vitit 2001, kur vendi u anëtarësua në këtë organizim.
Foto: Ilir Proda
Gjatë konferencës "Nga angazhimi në rezultate: Progresi në parandalimin e korrupsionit", kryeministri Rama falenderoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda.
Ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin në punë dhe për përmbushjen e rekomandimeve të Greco, por dhe për bashkëpunimin profesional me partnerët ndërkombëtarë.
" Dua të falenderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që e shoh të rreshtuar me krenari krah për krah me gjithë trupën diplomatike edhe përfaqësuesit e tjerë të trupit diplomatik. Kemi sot një Polici Shteti që jo vetëm rastësisht por edhe simbolikisht mund të rreshtohet krah për krah me të gjitha turpat Policore të Vendeve Europiane".
Pasi falenderoi ambasadorët dhe të pranishmit në prezantimin e raportit të GRECO në luftën kundër korrupsionit, ministri i brendshëm, Ervin Hoxha ndau disa nga arritjet që po çojnë në përmbushjen e standardeve të Këshillit të Evropës dhe drejt integrimit vendin.
Ministri theksoi përmbylljen me sukses të raundit të GRECO me 24 rekomandime, gjysma e të cilëve janë fokusuar në vlerësimin e imtësishëm të performancës së Policisë së Shtetit.
“Përmbushja e rekomandimeve është rezultati faktik i gjithë përpjekjeve, për të forcuar çdo hallkë integriteti në Policinë e Shtetit, agjencinë më të madhe ligjzbatuese në vend”, tha Hoxha.
Ai shtoi se ‘janë planifikuar masa dhe aktivitete konkrete, që përfshijnë ndryshime strukturore, hartim aktesh ligjore e nënligjore, inicim procesesh të reja pune në institucion, si dhe trajnime të vazhdueshme’.
Mes tyre ligji “Për Policinë e Shtetit”, miratuar në korrik 2024, duke adresuar plotësisht çdo rekomandim të GRECO, me asistencën e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Po kështu Rregulloren e miratuar të Policisë së Shtetit.
“Së dyti, Ministria e Brendshme dhe institucionet e varësisë kanë miratuar dhe zbatuar Planet e Integritetit për periudhën 2022 – 2024. Në përfundim të periudhës 3-vjeçare, Ministria e Brendshme ka nisur punën për hartimin e Planit të ri të Integritetit dhe Planit të Veprimit për periudhën 2025 - 2028. Dokumenti i ri do të shërbejë si një udhërrëfyes për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe standardeve etike në strukturat e Ministrisë së Brendshme, në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e integritetit institucional”, theksoi Hoxha mes të tjerash.
Një tjetër piketë ka qenë parandalimi i korrupsionit, rreziqet që paraqet dhe konfliktin e interesit, parimet e etikës dhe integritetit në radhët e policisë.
“Rezultatet e fundit të konkurseve treguan interes të shtuar dhe rritje të besueshmërisë për sa i përket garantimit për procese konkurrimi të drejta dhe bazuar në meritokraci, ku konkretisht për 12 pozicione për drejtorë vendorë konkurruan 48 kandidatë, si dhe për 47 pozicione për shefa të Komisariateve konkurruan mbi 300 kandidatë nga Policia e Shtetit”, theksoi ai, duke iu referuar përzgjedhjes së drejtorëve të rinj të policive në qarqe e qendër dhe shefave të komisariateve.
Në fund Hoxha e përmbylli fjalën e tij duke shruar se ambicia është që të shkohet më tej.
“Ambicia jonë është që të jemi pjesë e një procesi përsosjeje dhe vetë-përmirësimi të vazhdueshëm. Prandaj vlerësime si ky i GRECO janë mëse të mirëpritura, jo vetëm për të evidentuar rrugën e gjatë që kemi bërë, por dhe për të na mbajtur me këmbë në tokë për çfarë ende mbetet, për të garantuar standardet europiane të integritetit të të gjithë punonjësve të sigurisë dhe për një Shqipëri më të sigurt, me standarde”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama tha se po punojnë për të futur Inteligjencën Artificiale edhe në proceset e Kadastrës. Në Kryeministri, ku u prezantua raporti i GRECO-s për punën e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, Rama tha se intervistat në Prokurori zhvillohen ende si në epokën e gurit.
Kreu i qeverisë kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të merret me këtë problematikë.
“Ndërkohë që ecim me dixhitalizimin e plotë të Kadastrës, falë mbështetjes së KE, do të punojmë të fusim Inteligjencën Artificiale në proceset e Kadastrës. Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit, zhvillojmë intervista në Prokurori dhe Polici pa audio dhe video. Intervistat në Prokurori që nga ato të Juridiksionit të përgjithshëm dhe te ajo Speciale bëhen si në kohën e gurit. Unë të shoh, ti më sheh. Unë të pyes, ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua. Kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare. Një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë, dhe do ta korrigjojmë duke vazhduar ta mbështesim fuqimisht sistemin e drejtësisë, SPAK, GJKKO dhe institucionet e tjera të reja të krijuara nga reforma në drejtësi dhe duke shpresuar që më në fund do të bëhet realitet edhe sistemi i menaxhimit dixhital të të gjithë çështjeve me pushtetin gjyqësor. Një projekt që ka vonesë të palogjikshme dhe që shpresoj të vihet në vijë dhe uroj që Këshilli i lartë Gjyqësor të mos e vonojë më. Kemi angazhuar fonde dhe jemi në mbështetje për ta realizuar këtë program.”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe ministri i Brenshëm Ervin Hoxha morën pjesë sot në COD, për prezantimin e raportit të GRECO për luftën antikorrupsion.
Procesi për parandalimin e korrupsionit u evidentua se pati rezultate dhe këto ipohoi në fjalën e tij edhe Gianluca Esposito, drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës.
“Kënaqësi sa herë vij në Tiranë, ndihem si në shtëpi kur vij këtu. GRECO Ndihmon vendet për të ngritur sistemin për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Me korrupsionin humbasim të gjithë, humbet shoqëria. Parandalimi është kyç, që të mos shfaqet. Autoritetet kanë ngritur një sistem që është efektiv në luftën ndaj korrupsionit. Korrupsioni nuk është çështje kombësie, pasaporte apo përkatësie, është fenomen”, tha ai para të pranishmëve.
Ndërsa më tej nënvizoi rezultatet pozitive të arritura nga Shqipëria në realizimin e piketave të vendosura dhe faktin se kur ka vullnet politik gjërat ecin para.
“Jam i lumtur që Shqipëria i ka plotësuar këto pika për të luftuar korrupsionin. Kjo punë këtu dhe në Strasburg ka funksionuar mirë. Kur ka vullnet politik për të kryer reformat, reformat ndodhin. Ky është kyçi i suksesit, kur ka vullnet politik reformat ndodhin dhe ka rezultat. Jam i nderuar që jam këtu për të festuar këtë moment të veçantë”, u shpreh Esposito.
Komente

