Në veprimtarinë e tij të fundit si kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton priti sot takimin e posaçëm të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, ku morën pjesë drejtues të ambasadave të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.
Takimi u fokusua te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 dhe vizitës pasuese në Tiranë. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet më të fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe për nevojën për përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim.
“Shpresoj që drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive dhe grupimeve të ndryshme politike të ngrihen mbi ndasitë dhe interesat partiake e të ndërmarrin hapa konkretë drejt një reforme të njëmendtë”, tha ambasadori Berton.
“Vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore përcakton se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë udhëzuesi kryesor për reformën zgjedhore. Rekomandimet i drejtohen një game të gjerë aktorësh, përfshirë ata politikë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, autoritetet shtetërore, institucionet publike e të tjerë dhe secili duhet të bëjë pjesën e vet”, shtoi ai.
Duke theksuar se të gjitha rekomandimet janë të rëndësishme dhe meritojnë vëmendje, ambasadori Berton vuri në dukje tri fusha kryesore që kërkojnë vëmendje të shtuar.
“Hetimi i plotë dhe i shpejtë i akuzave për shkeljet e rënda zgjedhore si blerje votash, presion ndaj votuesve dhe abuzim me burimet shtetërore për përfitime elektorale, së bashku me ndërgjegjësimin për këto dukuri negative; Garantimi i fshehtësisë së votimit nëpërmjet masave mbrojtëse efektive procedurale të zbatueshme nga autoritetet përgjegjëse kur flitet për parandalimin e frikësimit të votuesve, votimit në grup, në emër të përfaqësuesit, etj.”, tha ambasadori.
Po ashtu ai nënvizoi nevojën e trajtimit të disa çështjeve që lidhen me rolin e medies në zgjedhje, në veçanti shmangia ose të paktën kufizimi i përdorimit në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë/autoritetet shtetërore; nxitja e një mjedisi medietik të pavarur dhe vërtet të larmishëm, që është i lirë nga ndikimi politik/privat dhe që kufizon përqendrimin e pronësisë së medias.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore.