SHKODER- Kandidati i Pavarur në Qarkun e Fierit, Dritan Prifti, ka deklaruar se në zgjedhjet e 23 Qershorit do të fitojë 15 mijë vota. Kështu është shprehur, Prifti i ftuar në emision “Top Story”. Sipas tij, “votat do të vijnë nga votues të majtë apo të rinj të familjeve të majta, të zhgënjyer nga PS-ja dhe partitë e tjera të majta”.

Ndërsa pranoi ofertat e ardhura nga koalicioni i djathtë dhe refuzimin e tyre, për shkak se mbështet idenë e rotacionit, Prifti tha se “e majta nuk duhet ta shohë armiqësinë as tek Arben Malaj dhe as tek Dritan Prifti. Ne kemi vota personale dhe unë do të vij në parlament me 15 mijë vota. E majta nuk duhet ta shohë as tek Dritani dhe as tek Beni problemin.”

“Mandati im do të përdoret vetëm për opozitën, vetëm për të majtën dhe për askënd tjetër. Do jetë një votë që do kontrollojë emrat që do të futen në qeveri. Votat që marr unë dhe Beni janë vota të majta dhe nuk shkojnë djathtas kur vijnë tek ne, kur s’vijnë tek ne mund të shkojnë djathtas”, theksoi Prifti.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)