Pse vendosët të bënit publike videon midis ju të dyve?
Arsyeja kryesore e publikimit ishte se unë dola në opozitë dhe si çdo opozitar mendova të kontribuoj për të ndihmuar opozitën për të rrëzuar qeverinë. Më mjaftoi një vit në qeveri për t'u kuptuar se çfarë qeverie kishim.
Jeni bërë pishman që e keni bërë këtë gjë?
Për të qenë plotësisht i sinqertë, jam i dyzuar. Dikur nuk kisha asnjë lloj pishmanlliku, tani kam, sepse nuk ndodhi asgjë.
Nga ana e opozitës?
Nuk ndodhi asgjë, nuk fitoi askush. S'besoj se ka njëri normal që ta kundërshtojë faktin se kjo ka qenë ndihmë e jashtëzakonshme për opozitën dhe për fitoren në zgjedhje lokale nga opozita.
A ndiheni i përdorur nga Edi Rama?
Nuk ndihem i përdorur sepse deri më sot mua në politikë nuk më ka përdorur njeri. Nuk e mohoj faktin që opozita përfitoi prej kësaj dhe ishte një nga synimet e mia që ta ndihmoja opozitën për këtë.
Por, a ishte kjo një sebep për 21 janarin, ishte si një frymëzim?
Unë nuk jam nga ata që të them se s'kishte asnjë efekt për 21-janarin. Video ka pasur efektin e vet në revoltimin e njerëzve kundër qeverisë.
Keni pasur një raport të vështirë me Edi Ramën?
Opinioni im ka qenë shumë i ndikuar edhe nga Ilir Meta. Tani mendoj se Rama s'është ai që ka qenë dhe është i gatshëm për të marrë pushtetin dhe për ta drejtuar këtë vend.
Ka pasur tentativa për t'ju ofruar kompromis për çështjen?
Tentativat për këtë që thua ti kanë qenë thuajse të përditshme. Unë nuk mund ta konfirmoj që vinin nga Ilir Meta.
Si iu duk pretenca nisur nga logjika si shkoi i gjithë procesi në Gjykatën e Lartë?
Mu duk shumë e guximshme nga ana e prokurorisë të kërkojë për një pushtetar të rangut të lartë si zoti Meta, burgosjen. Duke veçuar Nanon, që ka bërë burg, s'ka pasur prokuroria ndonjëlloj suksesi tjetër, ose ndonjë lloj guximi të kësaj natyre për të dënuar një politikan të një niveli kaq të lartë me burg.
Ndryshe nga Meta, ju keni preferuar të heshtni. Pse ky qëndrim?
Pas gjyqit duhet të bëjmë një dallim, Ilir Meta vetë s'më ka sulmuar mua asnjëherë. Ekipi po, Spartak Braho.
Ka thënë që ka 187 orë filmime..?
Ka dalë, ka thënë që ka 187 orë filmime për mua. Vërtetë ka filmime të miat, ka ndodhur vërtetë. Më kanë përgjuar 24 orë në telefona, në makinë, në shtëpi, në zyrë, në ambiente private, vend e pa vend. Ka qenë një grup mafioz që ka punuar rreth një vit për të më përgjuar mua 24 orë. S'e bëjnë vetëm për mua. Nga informacionet që kam unë është se ata përgjojnë Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e opozitës, opozitarë të tjerë, përfaqësues meidash. Është një grup mafioz, s'e di a është Spartak Braho në krye apo jo, brenda Shqipërisë që bën këto gjëra me pajisje përgjimi të blera në Bari të Italisë dhe nga sa di unë me origjinë ruse.
Keni prova për këtë?
Si është e mundur që të dalë një përfaqësues i mazhorancës në një emision televiziv dhe të thotë se kam 187 orë filmime për një deputet dhe askush mos të shkojë t'i kontrollojë shtëpinë, zyrën, të gjejë se çfarë ka, si i ka bërë? Nuk lejohet që të përgjohet një njeri në Shqipëri pa mandat. Kjo është një deklaratë e tmerrshme e një rrjeti dhe grupi mafioz. Unë i kam bërë një letër prokurorisë se jam përgjuar 24 orë në këtë mënyrë, i kam thënë kam rrezik për jetën nga kjo që ndodh. Asnjeri s'ka lëvizur.
A keni prova se është shumë e rëndë që jeni përgjuar 24 orë?
Po çfarë provash duhen, ai tjetri del në televizor dhe thotë që kam 187 orë filmime të bëra në një vit nga jeta e dikujt, kur unë kam dalë nga shtëpia 1-2 orë në ditë gjatë kësaj periudhe. Si mund ta bësh, duhet ta përgjosh një njeri një vit rresht për 24 orë, me mjete speciale. Po ta them që edhe nga prokuror më është konfirmuar dyshimi im që në Shqipëri ekziston një rrjet i tillë, makina lëvizëse që bëjnë përgjime me zë dhe me figurë të personazheve të ndryshme, jashtë strukturave të shtetit.
Ka ndodhur kjo në fakt edhe me të tjerët?
Absolutisht. Nëse ju do të dëgjoni se çfarë thotë njëri apo tjetri, që Presidenti kur ishte në këtë vend tha kështu, kryeprokurorja kur ishte kështu tha kështu me Edi Ramën, kjo kur ishte këtu bëri ashtu. Këto janë të gjitha përgjime. Dalin nga njerëzit që drejtojnë vendin e shtetin këto struktura. Por, ndodh me gjithë shtetin.
Është folur se keni video etj,. I keni vënë kapak kësaj historie?
I kam mbyllur të gjitha historitë sepse prej kësaj nuk fitoi askush dhe unë që në fillim e kam thënë do nxjerr një për provë. Ka mbaruar historia e videove.
Konsideroni gabimin tuaj më të madh faktin që ishit nuni i bashkimit të LSI me PD?
Po. Ai është gabimi im absolutisht më i madhi. Nuk kisha njohje për Partinë Demokratike siç e krijova kur isha në qeveri.
Nano thotë e rëndësishme është të mos bësh dy herë të njëjtin gabim...
Po e vërtetë. Edhe Nano ka vlerësimet e mia për shprehjen.
Kemi zgjedhjet e presidentit përpara. Si do të jetë vota juaj?
Nëse s'do jem i inkuadruar në ndonjë formacion politik ku do të jem i detyruar të respektoj vendimin e shumicës, vendimi pastaj do jetë personal.
Si po shkon PS e opozita në përgjithësi drejt këtyre zgjedhjeve?
Opozita ka shumë për të bërë për ta garantuar ardhjen në pushtet. Ka shumë për të bërë për të bashkuar gjithë faktorët opozitarë. Kam parë se me Fatos Nanon ka disa tratativa pozitive të kohëve të fundit dhe unë e përshëndes se ai është një figurë e rëndësishme brenda së majtës. Por opozita e ka marrë pak më lehtshëm se sa duhet marrë, duhet t'i ndezi motorët.
Çfarë pritet të ndodhë në zgjedhjet e 2013?
Unë mendoj se mund të ketë zgjedhje edhe para 2013 sepse mendoj që moment i zgjedhjes së presidentit mund të shkaktojë një krizë. Nuk besoj se Berisha do të bjerë dakord për një president konsensual. Ai do të përpiqet të shfrytëzojë Kushtetutën dhe t'i mbylli gojën të huajve që sot flasin për një president konsensual duke u thënë se nuk ka konsensus më të madh sesa zbatimi i Kushtetutës. Do përpiqet të zgjedhë një president me 71 vota. Në këto kushte unë mendoj se mund të provokohen zgjedhje të parakohshme për shkak të një pakënaqësie që mund të ndodhi në faktorin ndërkombëtar, por edhe në faktorin vendas për uzurpimin e çdo pushteti nga mazhoranca. Nëse kjo periudhë do superohet me një president të pranuar nga të gjitha palët, mundet që të shkohet me normalitet në zgjedhjet e 2013. Në këto kushte vetëm një opozitë totalisht e paaftë, mundet të mos ta marrë pushtetin.
Nëse humbet Berisha...?
Tek e djathta ka për të ndodhur ajo që ka ndodh te PS kur humbi pushtetin. Berisha besoj, ai ka thënë se "nëse humb do largohem nga politike" Pra unë mendoj që Berisha nëse do humbë zgjedhjet do dalë nga politika. Besoj se do jetë Lulzim Basha personi që do të marrë drejtimin e së djathtës. E njëjta skemë siç ndodhi me PS që Rama mori drejtimin e së majtës. E njëjta skemë mendoj se ka për të ndodhur pas 2013 me PD. PD në opozitë do të afrohet tek ai që ka më shumë pushtet brenda asaj partie që është Basha. Dhe në fakt ai është personi të cilin Berisha e ka zgjedhur si pasues.
( ne foto Presidenti Topi me Dritan Priftin, kur ishte ne postin e Ministrit të Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës)
(sg/shqiptarja.com)