HISTORIA
Gjithçka ka nisur rreth 10 ditë më parë, kur ai ka vendosur që t'u tregojë të vërtetën e prirjeve të tij seksuale. A.K. na tregon se e kishte bindur veten që ishte më mirë që këtë fakt t'ua bënte të ditur edhe familjarëve të tij, pasi, sipas tij, gjatë gjithë jetës së tij i kanë pëlqyer vetëm meshkujt. "Unë jam i bindur për atë që jam dhe ndihem mirë kështu. Fakti që më pëlqejnë djemtë nuk më vë në siklet dhe duke qenë se isha i bindur për këtë, mendova se gjëja më e mirë ishte që të vija në dijeni edhe prindërit, në mënyrë që atyre të mos u vinte e papritur apo ta merrnin vesh nga të tjerë. Por në momentin që u thashë, u duk sikur u pëmbys bota. Bëmë një sherr të paparë dhe ata më përzunë nga shtëpia. Madje më kanë nxjerrë me ulërima nga shtëpia dhe më thanë që të mos kthehesha më kurrë atje, pasi unë nuk isha biri i tyre. Nuk di se çfarë ndjeva në ato momente. Ndihem i tradhëtuar. Kisha menduar se të paktën prindërit do të më mirëkuptonin, pasi ka prindër që u janë bërë fëmijët vrasës dhe nuk i kanë mohuar dhe jo unë që në fund të fundit kam vetëm një prirje seksuale të ndryshme nga shumica e njerëzve. Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë që ndiej dhe nuk e di nëse ndonjë ditë do t'i mund të fal për këtë gjë. Dua të mos e kujtoj më këtë gjë", - na thotë ai. Por duket se ai e ka të pamundur ta harrojë atë që la në Vlorë vetëm pak ditë më parë. Kjo pasi prindërve nuk u kalonte inati për këtë "gjëmë" që u kishte i biri dhe kanë dërguar në Tiranë djalin tjetër që ta gjejë dhe ta rrahë. "Pasi më përzunë nga shtëpia, unë erdha këtu në Tiranë tek disa shokë të mi. Ka një javë që fle tek ata. Ata më treguan se kishin takuar vëllain tim, i cili po më kërkonte mua për të më rrahur sepse prindërit ndiheshin shumë të turpëruar nga ajo që u kisha bërë. Absurde!" - përfundon ai.
STREHIMI
Aktualisht strehimi është kthyer në një çështje emergjence për të, pasi ai nuk ka një vend ku të fusë kokën. Shokët nuk e mbajnë më, pasi ai as nuk punon dhe në një situatë të tillë ai ka kërkuar ndihmë te "Ambasada PINK', një organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të gay, lezbikeve, transgjinorëve dhe biseksualëve (LGTB). Që prej dy netësh ai ka fjetur në një ambient të rregulluar me vështirësi në një zyrë që i kanë rregulluar administratorët e ambasadës PINK, ndërsa na thonë se tashmë po kërkojnë një shtëpi për të. "Ai nuk ka të flejë dhe kjo ëhstë e tmerrshme. Ne po mundohemi t'i gjejmë një shtëpi, sepse nuk mund ta lëmë jashtë. Ai erdhi dhe na kërkoi ndihmë dhe ne e ndiejmë veten të detyruar. Nuk e kuptoj se si prindërit e kanë lënë në mes të rrugës", - na thotë njëri prej administratorëve të ambasadës PINK, që po kujdeset për të sistemuar të riun.
(s.g/shqiptarja.com)