Prindërit e Rita Orës: Erdhëm të
varfër në Londër, vajza na pasuroi

Prindërit e Rita Orës: Erdhëm të <br />varfër në Londër, vajza na pasuroi
Kur çifti Sahatçiu vendosi të vinte për një vizitë të shkurtër në Londër, në vitin 1991 ende nuk e dinte se ky udhëtim do të shënonte një nisje të re në jetën e tyre. Me dy vajzat e vogla, Elenën 2 vjeçe dhe Ritën të sapolindur erdhën për të shijuar bukurinë e Londrës, por sa më shumë kalonin muajt aq më shumë u lidhën me këtë qytet mahnitës dhe dita e kthimit gjithnjë veç shtyhej për më vonë. Besniku, i cili kishte kishte provuar bukurinë e Londrës gjatë kohës që kishte ardhur për t'u specializuar për gjuhën angleze në vitin 1986, ishte kthyer në Prishtinë pranë familjes për të ndërtuar jetën e tij atje, në vendin e vet.



(Rita Ora dhe babai i saj)

I ati, regjisori i famshëm nga Prishtina, Besim Sahatçiu i kishte dhënë atij mundësinë të edukohej dhe shkollohej në perëndim dhe sërish jeta e Besnikut do të vijonte të ishte e gjallë plot aktivitete të zhvilluara në një rreth të zgjedhur artistësh në Prishtinë. Më vonë janë njohur me Verën, vajzën e bukur kosovare e cila sapo ishte kthyer nga Rusia ku kishte mundur të kryente atje studimet për mjekësi. Kështu e ka nisur jetën çifti i ri, pas investimit që kishin bërë për shkollimin e tyre kishin shumë ëndrra të tjera për të realizuar. Besniku, i dashuruar pas Londrës i kishte folur shpesh të shoqes për këtë qytet magjik dhe asaj i ishte ngjallur po aq sa edhe atij dëshira për të bërë gati valixhet drejt saj, për të shkelur në rrugët ku kishte kaluar një pjesë të rinisë bashkëshorti i saj.



(Rita Ora së bashku me familjen)

Dhe kjo aventurë e tyre nisi me këtë dëshirë. Ishte viti 1991 kur bashkë me dy vajzat e tyre të vogla erdhën në Londër për të mbetur gjatë dhe për t'u futur në histori me famën që së shpejti do të ndërtonte vajza e tyre e Rita. Ishte vetëm 6 vjeçe kur Rita filloi të angazhohej me aktivitetet artistike të shkollës, na tregojnë Vera dhe Besniku. Flasin me shumë nostalgji për atë kohë. Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse jeta në vend të huaj në fillim është gjithnjë e panjohur.



(Rita Ora me familjen e saj)

E megjithatë ata po shihnin se sa shumë mundësi kishin tashmë për vajzat e tyre, ndaj dhe dashur pa dashur kishin marrë vendimin që të mos ktheheshin për pak në Kosovë. "Nuk ishte e lehtë të ktheheshe kur shihje mënyrën se si trajtoheshin dhe rriteshin fëmijët tanë këtu, në kopshte, në shkolla, në kurse, në aktivitete. Ishte një mundësi që nuk mund tua mohonim". Sidoqoftë, ata gjithnjë e kishin lënë të hapur bisedën e kthimit deri sa një ditë u përballën me dhimbjen e luftës së Kosovës
në 1999 dhe përfundimisht menduan se ëndrra e tyre për të jetuar sërish në Prishtinë po thërrmohej.



(Rita Ora së bashku me babain e saj)

Rita ndërkohë po rritej në një ambient ku dominonte paqja, dashuria, mirëqenia, stimulimi për të ecur përpara. Në këtë realitet, vajza e vogël e familjes Sahatçiu që kishte emigruar nga Kosova poshpërfaqte e çlirët të gjitha potencialet e saj, dhe në këtë mënyrë aftësitë e saj sa vinin e rriteshin. Gjithnjë e kishte ndjerë këtë lloj vale brenda vetes, sikur ia ndiente zemra se çfarë ishte shkruar në fatin e saj, ndaj asnjëherë nuk u ndal së besuari se do të bëhej ajo që gjithnjë ka dashur të bëhet. Me të tillë energji filloi t'i shfaqte menjëherë shenjat gjeniale në rrethin e shkollës.



(Rita Ora së bashku me vëllain dhe motrës e saj)

Talenti i saj ra në sy të mësuesve dhe ata i sugjeruan prindërve të Ritës që një fëmijë i tillë meritonte investim. Në atë kohë Besniku punonte në një Restorant, ndërsa Vera ende nuk kishte filluar punë pasi diploma e saj nuk njihej në sistemin mjekësor anglez. Për më tepër ajo ende nuk ndihej konfidente me gjuhën. Ndaj kaluan vite dhe kohën e saj ajo e dedikoi vetëm në funksion të vajzave. Me gjithë vështirësitë financiare që mund të kenë pasur në fillim, si çdo emigrant ata vendosën që Ritën ta dërgonin në një shkollë private, aty ku studionin fëmijët më të talentuar të Anglisë dhe pranimi bëhej me konkurs.



(Rita Ora dhe familja e saj)

Sigurisht që Rita i ka marrë menjëherë pikët që i duheshin për t'u pranuar në këtë shkollë dhe me personalitetin e saj ajo arriti që të integrohej shumë shpejt në atmosferën e këtij institucioni gjigant që prodhonte çdo vit artistë. Kur u regjistrua në shkollën e "Sylvia Young Theatre School" një nga më të famshmet Angli në këtë fushë, Familja Sahatçiu duhej të mendohej mirë - pagesa vjetore në këtë kolegj ishte një shumë marramendëse, sacrificë që pak shqiptarë e kishin mundësi ta bënin. Ndërsa Besniku me Verën nuk u menduan gjatë. Ata ishin të bindur në talentin e vajzës së tyre, ndaj në një mënyrë apo në një tjetër ata po parashikonin famën e saj në të ardhmen.



(Prindërit e Rita Orës)

Aty nisi edhe rrugëtimi i Ritës ndaj famës - gjithnjë e etur për të ecur përpara dhe për të arritur suksese, Rita qysh fëmijë arriti të binte në sy, tek mësuesit, shokët dhe shoqet e madje edhe tek artistët që vinin herë mbas herë në shkollën e saj për të rekrutuar fëmijë të talentuar në projektet e tyre.
Rita, jo vetëm me talentin e saj të admirueshëm por edhe me një personalitet të shëndetshëm e të gjallë kishte aftësitë të bënte shumë miq, të ishte pjesë e rretheve të rëndësishme artistike. Në klasë ishte bërë shumë shoqe me Money, vajza e këngëtares së famshme angleze Misha Paris.

Të dyja të kudogjendura në aktivitete qysh në moshë të vogël bëhen pjesë e roleve në filma, pjesë teatrale dhe këndojnë për koncerte të ndryshme. Por historia e Ritës do të merrte kthesë një ditë të bukur pranvere, kur bashkë me të ëmën Verën kishin dalë të shëtisnin në një park. Ishte një ditë feste dhe grupet artistike lokale kishin organizuar një koncert festiv në fushë. Rita, ashtu siç na tregojnë Vera me Besnikun ka qenë një fëmijë që gjatë gjithë kohës nuk e hiqte këngën nga goja. Në çdo vend dhe në çdo kohë atë e gjeje duke kënduar. Madje, i ati i kishte instaluar në dhomën e saj pajisje moderne muzikore dhe ajo gjithë kohës me të motrën mbyllej aty duke kënduar dhe eksperimentuar me muzikën. Të tillë valë ndjeu edhe atë ditë teksa ecte në park me të ëmën, Verën. "Sa do doja të dilja edhe unë të këndoja një këngë" i ka thënë asaj, dhe Vera ka biseduar me organizatorët. Papritur Rita e ka parë veten në skenën e improvizuar të parkut duke kënduar.



(Rita Ora me familjen e saj)

Dhe reagimi ka qenë i magjishëm. Publiku është mahnitur nga interpretimi i Ritës, por fati gjithashtu kishte qenë në atë park me të. Pasi ka mbaruar,dy agjentë muzikorë janë afruar pranë tyre dhe i kanë drejtuar Verës një kartëvizitë duke i ofruar një mundësi takimi me një shtëpi diskografike. Ata kishin dalë enkas për të zbuluar potencialin e ndonjë talenti dhe kishin goditur në shenjë. Që atë ditë shumë gjëra filluan të ndryshojnë në jetën e Ritës. Me mbështetjen e prindërve aventurat e saj drejt këngës vazhduan edhe më tej për t'u afirmuar shumë shpejt në tregun ndërkombëtar muzikor.

Ajo pati fatin rishtazi të përfshihej në projekte dhe klipe muzikore, por ende nuk kishte arritur kulmin e shpërthimit të saj deri sa një ditë fati e takon me Jay-z, muzikanti me famë botërore si dhe me Beyonce, këngëtaren, divën e kohëve të sotme. Tani fama e saj ka kaluar përtej kufijve, dhe bashkë me emrin ajo merr me vete edhe identitetin dhe origjinën e saj. Në një kohë kur shqiptarët kanë filluar t'i lakojnë duke komentuar filmin "Taken", arti dhe magjia e Rita Orës ka fuqinë të zbehë famën e keqe dhe ndërtojë një emër të mirë për gjithë bashkatdhetarët e saj. Arti ka pasur gjithnjë fuqi për të shëruar marrëdhëniet e brishta dhe delikate, dhe gjithnjë ka shërbyer për të promovuar kulturën e një vendi. Vajza e familjes Sahatçiu duket se ka ardhur në këtë jetë në Orën e saj dhe akrepat e saj sapo kanë filluar të lëvizin drejt një të ardhmeje brilante.



(Rita Ora me familjen e saj)

Tashmë familja juaj është bërë një nga më të famshmet dhe gjithë shqiptarët ju ndjekin me admirim. Si po e përjetoni famën e vajzës tuaj Ritës?
Sigurisht si çdo të ishte ndjerë çdo prind, realisht ndihemi shumë krenarë për Ritën. Na ka sjellë shumë gëzim suksesi i saj. Është si një mrekulli dhe ne po e përjetojmë në mënyrë të magjishme. Tani Rita nuk na përket më vetëm neve, familjes tonë, por gjithë shqiptarëve. Fama e saj ka kaluar çdolloj parashikimi dhe ne si prindër na jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Si e mbani mend Ritën kur ishte e vogël? A e dinit që atëherë se ishte një vajzë me talent dhe premtonte të ardhme?

Kur ishte e vogël Rita ishte një fëmijë shumë e gjallë dhe qysh atëherë dallonte nga të tjerët, sepse gjithnjë donte të ishte në qendër të vëmendjes. Herë duke kënduar herë duke imituar ndonjë karakter të ndonjë filmi apo herë-herë tërhiqte vëmendjen edhe me veshjet e saj. Ka qenë një fëmijë i paparashikueshëmtepër e aftë për të të bërë për vete dhe gjithnjë dinte t'i fitonte gjërat që donte.

Mund të na tregoni një histori nga fëmijëria e saj që ju ka mbetur në mendje?

Rita ishte një fëmijë që çdo ditë shkruante historinë e saj. Duke qenë e vogla, pas Elenës, ajo e kishte kuptuar se gjithë familja ishte në funksion të dëshirave të saj. Ndaj që e vogël, kur ne e zbuluam si talent investuam duke e dërguar në shkollën më të mirë dhe duke e ndjekur në të gjitha aktivitetet e saj.

Me sa duket Rita përveç talentit ka edhe një personalitet të fortë dhe të veçantë: ju që e keni rritur çfarë keni vene re te veçante tek Rita teksa ajo rritej?

Po është e vërtetë. Që e vogël ka një personalitet të veçantë. Por pavarësisht se ishte një fëmijë i shkathët e plot ambicie, Rita është një vajzë shumë e thjeshtë, e dashur, e hareshme e gëzuar, që dinte të gjente lumturinë në gjithçka. Ajo i donte shokët e saj pa mase dhe akoma vazhdon t'i ruajë lidhjet me miqësitë e vjetra. Edhe tani që është e angazhuar me shumë aktivitete ajo e gjen kohën për shokët dhe shoqet e saj dhe mblidhen shpesh së bashku. Ajo mundohet që t'i ndajë
me ta gëzimet dhe sukseset e karrierës. Ka një dëshirë të madhe të arrije atë të cilën ja vë vetes si detyre dhenuk qetësohet deri sa ta arrijë qëllimin.

Po thoni se edhe vazhdon t'i mbajë lidhjet me miqësitë e vjetra. A janë edhe shoqet e Kosovës pjesë e kësaj miqësie?

Po, pikërisht, janë një grup shoqesh të një moshe të cilat janë rritur se bashku në Londër. Rita dhe Elena (motra e Ritës) kanë pasur një rreth të gjerë shoqesh nga Shqipëria dhe Kosova. Duke qenë se ne si prindër jemi shoqëruar me shqiptarë (të Kosovës dhe Shqipërisë) të tjerë këtu nëAngli natyrisht se fëmijët tanë janë takuar gjithnjë. Kanë qenë gjithnjë bashkë në festa të ndryshme si Viti i ri apo ditëlindjet e fëmijëve ku të gjithë ne jemi munduar tua bëjmë qefin me party. Kështu i kemi mbledhur fëmijët bashkë në mënyrë që të njohin njëri tjetrin dhe të ruajnë identitetin kombëtar, kjo është meritë e të gjithë emigrantëve Shqiptarë në Angli.

Shumë studime thonë se fëmijëria luan një rol shumë të rëndësishëm ne personalitetin e njeriut. Sa rol keni luajtur ju si prindër ne formimin e saj si artiste?


Ne si prindër jemi munduar që fëmijëve tanë t'ua japim dashurinë dhe edukatën, sensin e krahasimit mes të drejtës dhe të gabuarës, t'i inkurajojmë në ëndrrat e tyre fëmijërore dhe t'i shkollojmë në mënyrën më të mirë sipas kushteve.

Po me motrën dhe vëllanë si i ka pasur marrëdhëniet Rita? Si i mbani mend ju?

Elena vajza jonë e madhe, gjithnjë duhej t'ia bënte qejfin Ritës se ajo qante pafund deri sa të realizonte dëshirat e veta. Për të nuk kishte kthim mbrapa. Prandaj shpesh ne si prindër gjithnjë i thonim "Elena lëre Ritën se ti je më e madhe, bëja qefin motrës së vogël". Tani duket sikur ndihemi në faj para Elenës, na vjen keq që i kemi kërkuar që ta tolerojmë më shumë Ritën, sepse edhe ajo e vogël ishte. Mbajmë mend kur na thoshte Elena "po pse unë duhet t'i lëshoj radhën asaj gjithmonë". Mes fëmijëve këto janë gjëra normale, dhe sigurisht që me kalimin e kohës lidhja e tyre prej motrash u forcua edhe më shumë dhe dashuria e tyre për njëra -tjetrën sa vjen e shtohet. Ato ashtu siç ishin të pandarë në fëmijëri (ku luanin bashkë, flinin bashkë, përqafoheshin, duheshin e grindeshin) edhe sot janë gjithkund bashkë dhe e mbështesin fort njëra tjetrën. Ndërsa djali i vogël Doni lindi kur Elena ishte nëntë vjeçe ndërsa Rita ishte shtatë. E kanë dashur shumë vëllanë e tyre gjithmonë, i kanë dhënë një dashuri të pakufishme dhe sot të tre kanë një marrëdhënie të shkëlqyer njeri me tjetrin. Edhe pse Rita tani është bërë shumë famshme marrëdhënia e tyre nuk ka ndryshuar aspak, përkundrazi është forcuar dhe bërë më e bukur.

Po tani ju vetë si po e menaxhoni faktin që jeni bërë të famshëm dhe shumë të kërkuar? A ka ndryshuar shumë jeta juaj mbas kësaj?


Jo, nuk do të thoja se jeta jonë ka ndryshuar, aspak. Jeta jonë rrjedh në të njëjta ritme, vazhdon normal si më parë. Që të dy ne jemi shumë të zënë me punët tona ditore. Natyrisht se njerëzit na flasin me përgëzime për vajzën. Ajo çfarë ka ndryshuar është se tani takohemi shumë me njerëz të shoëbizit, njerëz që më parë i kemi njohur vetëm përmes televizorit. Madje, Elena është përfshirë si pjesë e grupit të menaxhimit të Ritës, dhe kështu motrat janë sërish bashkë. Jeta e tyre ka ndryshuar në shumë dimensione, por e jona është po ajo, ka mbetur e thjeshtë në aktivitetet tona. Dhe kjo na jep shumë lumturi. Rëndësi ka që misioni ynë si prindër është kryer me sukses dhe ashtu si çdo prind gëzohet për sukseset e fëmijës së tij edhe ne marrim shumë kënaqësi nga sukseset e vajzave tona, dhe po shijojmë rritjen e djalit i cili është ende i vogël dhe jeton me ne.

(xh.k/shqiptarja.com)

3/9
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!

Momenti shokues! Tezja telefonoi, fëmija i çiftit u përgjigj në kamera dhe tregoi trupin e Eleonorës: Babai vrau mamin!