Drejtësi më efektive, më e shpejtë dhe cilësore, është mesazhi i Fatmir Xhafajt nga foltorja e Kuvendit gjatë diskutimit për pr.buxhetin 2027. Mbështetja financiare që buxheti parashikon për institucionet e drejtësisë duhet të përkthehet në përgjegjshmëri e transparencë më të lartë.

Kreu i komisionit ‘Xhafaj’ tha se prioritet duhet të jetë ulja e numrit të dosjeve stok dhe të forcohet fryma e llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional.

“Mbështetja financiare për institucionet e pavarura është një nga aspektet më të rëndësishme të politikave buxhetore. Financimi i institucioneve të drejtësisë të përfshira në analizën buxhetore është rritur në 13 mld lekë për vitin 2027. Ky është një angazhim financiar shumë i rëndësishëm, por duhet të ushtrojmë me më shumë forcë çështjen e rezultateve. Pavarësia e drejtësisë nuk mund të kuptohet e shkëputur nga përgjegjshmëria për mënyrën e ushtrimit të funksioneve dhe cilësinë e shërbimit. Mbetet shqetësuese numri i lartë i çështjeve të prapambetura. Reduktimi i tyre duhet të jetë prioriteti kyç i institucioneve përgjegjëse. Mbeten shqetësuese problematikat e sigurisë dhe infrastrukturës në gjykata e prokurori. Sfida jonë është të kemi drejtësi më të shpejtë e cilësore, më të aksesueshme për qytetarët. Në vlerësimin tim, institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë më shumë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri. Kërkohet më shumë maturi. Përdorimi i autoritetit të ligjit në konflikt interesi është rruga e gabuar pasi zbeh dhe cenon rëndë autoritetin e pushtetit gjyqësor dhe besimin e qytetarit. Besoj fort se duhet maturi dhe reflektim për të përmirësuar dhe forcuar frymën e llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional”, tha Xhafaj.


Lajmi kryesor:

LIVE TV-Buxheti 2027, Malaj: Ulim borxhin, rrisim investimet dhe mbështetjen sociale! PD: Pse nuk caktoni minimumin jetik? Rrisni taksat për bizneset