VLORË - Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë së Vlorës ka ndërhyrë ditën e sotme për prishjen e një banese të ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta.

Sipas autoriteteve, objekti pengonte funksionimin normal të kanalit, duke krijuar problematika të vazhdueshme, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura shiu dhe duke rritur rrezikun e përmbytjeve në zonë.

Ndërkohë, Bashkia e Vlorës bën me dije se puna do të vijojë për çlirimin e plotë të kanaleve të ujërave të larta nga ndërtimet e paligjshme, të cilat prej vitesh kanë penguar funksionimin e tyre dhe kanë sjellë pasoja për qytetin.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë hapësirat publike dhe të shmangin ndërtimet e paligjshme, në mënyrë që të parandalohet krijimi i situatave problematike në të ardhmen.