PRAGË - Edhe Çekia do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e lidhur këtë me prishjen e kontratës me kompaninë e shpërndarjes së energjisë, CEZ.
 
Kryeministri i këtij vendi, sipas mediave çeke, ka deklaruar se ishte një shpronësim i paprecedent i CEZ. “Ne besojmë se CEZ do të fitojë në arbitrazh,” tha Jiri Rusnok.
 
 “I kam thënë kryeministrit shqiptar se nëse nuk e njohin borxhin, me keqardhje do të bllokoj marrëveshjen me BE-në. Nuk është një gjë e këndshme, por nuk kemi çfarë të bëjmë,” tha Rusnok.
 
Megjithatë, për momentin Çekia nuk ka si të vendosë veton, pasi statusi është shtyrë. Por kryeministri çek, që pak ditë më parë u kryqëzua për një fyerje ndaj Nelson Mandelës, lëshon një fyerje për shqiptarët.
 
“Nuk do më duhet të vendos veton pasi as holandezët, gjermanët, francezët dhe britanikët nuk janë shumë entuziastë për anëtarësimin e këtij vendi të bukur ballkanik, të mbushur me trafikantë droge”.
 
Masat e qeverisë “Rama”

Qeveria shqiptare ka miratuar kohë më parë ngritjen e grupit të punës për negocimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me kompaninë CEZ. Këshilli i ministrave bën me dije se vendimi ka si qëllim ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe me përbërje përfaqësues të kryeministrisë, të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit për negocimin me CEZ, a.s. për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lindura me shtetin shqiptar. Më këtë mënyrë qeveria ka nisur zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve  me kompaninë çeke, CEZ Shpërndarje.

Ky vendim i qeverisë shqiptare synon që të shmngë gjyqin me këtë kompani në arbitrazh. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kërkohet ngritja e një grupi pune për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me CEZ, çka nënkupton edhe një rikthim të mundshëm të kompanisë çeke. Pavarësisht problematikës ku ndodhet kompania CEZ, me një seri gjyqesh në Arbitrazh, kjo kompani është programuar të jetë një nga burimet themelore për gjenerimin e të ardhurave. Dhe kjo do të ndodhë me grumbullimin e parave të energjisë që shpërndahet në rrjet. Qeveria e re po synon një reformë thelbësore në këtë drejtim, e kombinuar në dy linja. Do të nisin bisedimet me çekët e CEZ për të zgjidhur problematikën me pronësinë e kompanisë jashtë Arbitrazhit, ndërsa do nisë gjetja e mënyrës për mbledhjen e faturave të energjisë.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)