Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) po vijon sot aksionin për prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme përgjatë vijës së bregut të liqenit të Ohrit, në segmentin Lin-Pogradec.

Ky aksion u përshëndet dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale e quan 'koha për pastrim'. "Nis operacioni i shkuljes së dhjetra çibanëve nga buza e liqenit të Pogradecit. #Koha për pastrim#", shkruan kryeministri në Twitter.

Gjatë ditës së sotme INUK-u do të vazhdojë punën me lirimin e sheshit të ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë, si dhe me prishjen e ndërtimeve të kundraligjshme në segmentin rrugor Lushnje-Berat.

Prej disa javësh Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar ka ndërmarrë disa aksione në shkallë vendi për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme. INUK ka bërë me dije se në zbatim të ligjit do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje që kanë zaptuar hapësirat e përbashkëta, kudo që ndodhen. /ATSH/