Nisi këtë të mërkurë demontimi i urës 30-vjeçare të Dragostunjës në aksin Librazhd–Pogradec, pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga rrëshqitja e tokës. Paralelisht me heqjen e urës automobilistike, ka nisur devijimi i rrjedhës së lumit Shkumbin për të frenuar erozionin dhe për të krijuar kushte për ndërhyrje infrastrukturore.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, pritet të ndërtohet një rrugë provizore rreth 1.3 kilometra buzë lumit, pranë trasesë së hekurudhës, me qëllim rikthimin e përkohshëm të qarkullimit.
Kreu i IKMT-së deklaroi se shembja nuk ka ardhur si pasojë e shfrytëzimit të inerteve në lumë, duke theksuar se kompania ANK që ka fituar lotin 4 të zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ka zbatuar lejen mjedisore. Megjithatë, mbetet e paqartë sasia e zhavorrit të nxjerrë nga shtrati i lumit për t’u përdorur në kantierin e ndërtimit të Korridorit VIII.
“IKMT kontrollon lejen që jepet për shfrytëzimin e inerteve në lumë dhe topografinë ku kryhet ky proces. Në rastin konkret është verifikuar dhe është raportuar me shkrim. Sasia e inerteve dhe procesi tjetër nuk janë përgjegjësi e IKMT-së, por është AMBU (Agjencia e Mbrojtjes së Burimeve Ujore) që merret me këtë punë. Pika e shfrytëzimit është me leje dhe në pozicionin e caktuar nga institucioni përkatës”, tha Afrim Qendro.
Sakaq, Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, njoftoi rritjen me 18 milionë euro të fondit të investimeve për projekte parandaluese në 47 bashki të vendit. Një pjesë e mirë e fondeve do të shkojë për ndërtimin e pritave lumore përgjatë Shkumbit.
“8 milionë euro do të shkojnë për projekte që janë në zbatim, si diga, prita lumore, ura dhe rehabilitim i infrastrukturës së dëmtuar. Ndërsa 10 milionë euro do të jenë në dispozicion të bashkive për projekte të reja, me procesin e alokimit që nis këtë javë. Buxheti do shpërndahet mbi bazën e hartës së riskut dhe planifikimit inxhinierik, me synim forcimin e infrastrukturës parandaluese dhe menaxhimin më të mirë të emergjencave natyrore”, tha Vengu.
Duke e cilësuar rrëshqitjen e rrugës ekzistuese si fatkeqësi natyrore, Vengu garantoi se Korridori VIII po ndërtohet me punime të cilësisë së lartë, duke përfshirë rrugën dhe hekurudhën ndërkombëtare. Për më tepër, do të përforcohen pritë lumore dhe infrastruktura parandaluese për përmbytjet dhe erozionin.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se emergjencat civile janë në gatishmëri të plotë referuar shembjes së aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Çako theksoi dhe ndërhyrjen për hapjen e një aksi të ri rrugor.
“Agjencia e mbrojtës civile, ka marrë përgjegjësitë e veta në mbështetje dhe të kërkesës së bërë nga ARRSH për këtë problematikë që ka krijuar impaktin e vet në bllokimin e qarkullimit. Duke qenë se ka dalë e nevojshme ë të këtë një gatishmëri të theksuar për ti ardhur në ndihmë banorëve, agjencia ka kontaktuar dhe për një gatishmëri të përhershme të forcave të armatosura, policisë së Shtetit, urgjencës mjekësore apo dhe të tjera shërbimeve. Shumë shpejt me një vendim të Këshillit Teknik do të ndërhyhet për krijimin e një aksi të ri rrugor për të eliminuar këtë vështirësi”, tha Haki Çako.
Komente











