Protesta sot ne Prishtine Foto: ATSH Behlul Jashari
PRISHTINË, 27 Janar /ATSH-B.Jashari/.-Protesta në Prishtinë e ftuar nga opozita, e nisur në mesditë, ka vazhduar në mëse dy orët e fundit me përplaje me policinë, e cila ka përdorur gazin lotsjellës dhe ujin, ndërkohë që ka edhe arrestime, mes tyre zyrtarë të subjektit organizator, Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto momente u panë edhe disa kokteje molotovi të hedhur drejt policisë.
Nga minuta në minutë, VV njofton mes tjerash se "policia duke hedhur gaz lotsjellës po largon protestuesit nga sheshi Skënderbeu. Ka edhe të lënduar, ndër ta edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili është marrë nga autoambulanca".
Sipas VV-së, "megjithë ndërhyrjen e policisë dhe arrestimeve, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh".
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, tha pak më parë se nuk ka informata zyrtare, por numri i të arrestuarve mund të jetë deri 30 protestues, ndërsa paralajmëroi protesta edhe më masive. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sipas deklarates ne keto momente numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka kaluar 20, protestues dhe policë, ndërsa gjendja e asnjërit nuk është e rëndë. Korrespondneti i ATSH në vendngjarje ka parë disa protestues në autoambulancë, ku u ofrohej ndihma mjekësore në sheshin e protestës.
Sipas KTV-së, mes të arrestuarve është edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Arrestimi është bërë para disa momenteve, ndërkohë që përplasjet mes protestuesve e policisë po vazhdojnë.
"Ka valë të madhe të arrestimeve", shprehet gazetarja e KTV nga vendngjarja. "Po mbushen veturat e policisë me të arrestuar", thekson ajo. Tre partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, me gjithseaj 33 deputetë nga zgjedhjet 2014, përmes deklaratave të veçanta kanë bërë thirrje për protestë me fillim sot në orën 12:00 në Prishtinë, në vazhdimësi të protestës së të shtunës që u zhvillua me thirrjet "Jabllanoviç jashtë!" dhe "Trepça është e jona!", sipas organizatorëve më e madhja në 16 vitet e pas luftës me rreth 30.000 pjesëmarrës, sipas policisë 7.000.
Në Prishtinë janë mblidhur rreth mesditës mijëra protestues në sheshe, të ardhur edhe nga qytete të tjera të Kosovës. Të gjithë protestuesit kanë marshuar drejt sheshit para ndërtesës së qeverisë, e cila sot është "barrikaduar" nga Policia e Kosovës.
Të shtunën e javës së kaluar, Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë dhe demolonin ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës me paralajmërimet e organizatorëve për vazhdim sot nëse nuk plotësohen kërkesat për shkarkimin e minsitrit serb Jabllanoviç dhe për Trepçën ndërmarrje publike të Kosovës./k.s/